Më shumë se dy të tretat e votuesve gjermanë janë të pakënaqur me kancelarin Olaf Scholz, sipas një sondazhi të INSA të kryer për gazetën Bild.
Një numër në rritje janë të frustruar me koalicionin e ashtuquajtur ‘i semaforit’ të Scholz-it, i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP), me vlerësimet e miratimit për të tre në rënie pas 18 muajsh në detyrë.
Vetëm 15% e të anketuarve në sondazhin e publikuar nga Bild të shtunën thanë se koalicioni po bënte një punë të mirë, ndërsa pothuajse gjysma besojnë se koalicioni i madh i mëparshëm i CDU/CSU dhe SPD punoi më mirë.
Pothuajse dy të tretat (64%) e të anketuarve thanë se Gjermania do ‘përfitonte’ nga ndryshimi i qeverisë, ndërsa më pak se një në katër (22%) do parapëlqente të mbante koalicionin ekzistues. Rreth 70% e të anketuarve (nga 1004 të anketuar nga 17 deri më 18 gusht) ishin të pakënaqur me Scholz-in personalisht.
Një sondazh i Institutit Forsa i porositur nga sindikata më e madhe e punonjësve të sektorit publik në vend javën e kaluar tregoi gjithashtu se besimi në qeveri ka rënë në nivele rekord në Gjermani dhe se shumica e popullsisë mendon se zyrtarët e tyre janë të paaftë për të bërë punën e tyre.
Numri i njerëzve që besojnë se lidershipi është i ‘mbytur’ nga detyrat me të cilat përballet ka arritur në 69%, ndërsa numri i njerëzve që ende besojnë në aftësitë e zyrtarëve të tyre publikë ka rënë me dy pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë, në vetëm 27%.
Një tjetër sondazh, i porositur nga televizioni publik gjerman ARD në fillim të gushtit, tregon se miratimi publik i qeverisë gjermane ka rënë në 21%, nga 60% në 2020.