Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç pas takimit me Mitsotakis: Greqia na premtoi se s’do ndryshojë qëndrim për mosnjohjen e Kosovës


Presidenti serb Vuçiç ka thënë pas takimit në Athinë me kryeministrin grek Mitsotakis se ky i fundit i ka dhënë garanci se nuk do e ndryshojë qëndrimin zyrtar për mosnjohjen e Kosovës.

Njoftimin e ka bërë vetë kreu i shtetit serb përmes një njoftimi në faqen e tij në Instagram.

“Një bisedë e mirë dhe miqësore me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë së cilës kam shkëmbyer mendime për bashkëpunimin e përgjithshëm rajonal, çështjet globale dhe qëndrimin e Greqisë ndaj situatës në Kosove dhe Metohi. Miqtë tanë grekë kanë konfirmuar edhe një herë se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin zyrtar për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës. Ne do vazhdojmë të punojmë për forcimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.” – shkruhet në postim.

Takimi mes kryeminisitrit grek e presidentit serb vjen mes tensioneve të shtuara Athinë-Tiranë lidhur me çështjen e Fredi Belerit, i cili ndodhet në qeli pasi akuzohe për blerje votash.

Ai u arrestua tre ditë pas zgjedhjeve ndërsa Greqia ka kërkuar me forcë lirimin e tij e betimin e tij si kryebashkiak i Himarës.

Arrestimi i tij bëri që Mitsotakis të anulonte ftesën për kryeministrin Rama për të marrë pjesë në samitin informal të Athinës.