Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri i fuqishëm në Laç u afrohet banesave, ndërhyhet edhe nga ajri. Arrestohet 41-vjeçari i dyshuar


Një ndër situatat më të vështira për sa u përket zjarreve në vend e ka quajtur ministri i Brendshëm atë të sotmin në Laç ku një masiv pyjor me pisha ka marrë flakë duke iu afruar e kërcënuar edhe disa banesa.

Në një shënim në Facebook, Balla tha se një nga autorët e dyshuar të zjarrvënies është arrestuar.

“Zjarret në vend në Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrëfikës të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergiencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrivënie (shtetasi V.H. 41 vjeç).” – shkruan Balla.

Për të shuar flakët janë angazhuar mbi 50 ushtarë, 4 makina zjarrfikëse si dhe një helikopter Cougar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ditën e djeshme u publikuan pamjet të një zjarrvënieje të qëllimshme në Berat ku dy të rinj u pikasënë në video duke i vënë flakën pyllit Partizan  e duke u larguar më pas me qetësi.