Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti te Diga e Liqenit, policia shpall në kërkim shoferin, i ndaluari fshehu krimin


Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti te Rruga e Kosovarëve në Tiranë ku makina me shpejtësi të lartë përfundoi te diga e Liqenit Artificial.

Fillimisht policia arrestoi shtetasin Eldi Allushi si drejtues të mjetit por duket se një tjetër person ka qenë në timon.

Ditën e sotme policia shpalli në kërkim Emiljano Ninan për aksidentit dhe si drejtues të mjetit.

Ndërsa Eldi Allushin e ka proceduar për veprat penale të moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë të vërtetën si dhe përkrahje të autorit të krimit.

Emiliano Nina rezulton të jetë edhe i afërm i Ervis Martinajt.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:

-Eldi Allushi, 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin Jurgen Allushi, 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Emiljano Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushi, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Shtetasi Eldi Allushi ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit Emiljano Nina. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi“- njofton policia.