Vendosni fjalën kyçe....

Humb jetën në aksident ajror shefi i Wagner Yevgeny Prigozhin


Kreu i grupit privat ushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin ka humbur jetën në një aksident ajror.

Avioni privat që udhëtonte nga Moska në Shën Petersburg u rrëzua të mërkurën në rajonin Tver të Rusisë.

Ministria ruse e Emergjencave tha se të 10 personat në bord kishin vdekur. Rosaviation ka pohuar se Prigozhin, ishte në listën e pasagjerëve.

“Aeroplani Embraer po fluturonte nga Sheremetyevo për në Shën Petersburg. Në bord kishte tre anëtarë ekuipazhi dhe shtatë pasagjerë. Të gjithë vdiqën”, tha një zyrtar i Ministrisë së Emergjencave për TASS.

Përplasja ndodhi pranë fshatit Kuzhenkino në rajonin veriperëndimor Tver. Disa faqe ruse e kanë identifikuar avionin si një Embraer Legacy 600, me numër bishti RA-02795, i cili besohet se i përket Prigozhin. Megjithatë, kjo nuk u konfirmua nga zyrtarët.

Pak ditë më parë ai u shfaq me veshje ushtarake dhe armë në dorë për herë të parë që pas rebelimit ndaj autoriteteve ruse pas një grindjeje me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Pas një inkursioni në qytetin rus Rostov on Don në qershor të këtij viti, ai u nis drejt Moskës por u ndal disa kilometra para se të mbërrinte atje. Më pas me ndërhyrjen e presidentit Lukashenko ai shkoi në Bjellorusi bashkë me trupat Wagner.

Pak ditë pas rebelimit të ndërprerë në mes Prigozhin tha se synimi i tij nuk kishte qenë rrëzimi i qeverisë ruse por se marshimi i tij drejt Moskës ishte në shenjë proteste ndaj ministrisë.

Prigozhin ka qenë një nga personat më të afërt të presidentit rus Putin  dhe njihej edhe si ‘kuzhinieri i Putinit’, pasi zotëronte restorante dhe kompani hotelierie që ofrojnë shërbime për Kremlinin.

Dikur i dënuar në Bashkimin Sovjetik, Prigozhin kontrollonte një rrjet kompanish me ndikim, veçanërisht kompaninë ushtarake private Wagner, e cila mbështetej nga shteti rus.

Grupi i tij Wagner luajti një rol të rëndësishëm në pushtimin rus të Ukrainës. Ai gjithashtu mbështeti interesat ruse në Siri, Libi, Republikën e Afrikës Qendrore dhe disa vende të tjera afrikane.