Euro shënoi për të dytën ditë radhazi një rritje të fortë në kursin e këmbimit me Lekun.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të enjten me 109.08 lekë, në rritje të mëtejshme me 1.45 pikë që nga dita e djeshme.
Euro është rritur me më shumë se 3 lekë që nga fillimi i kësaj jave, ndërkohë që ka prekur nivelin më të lartë që prej datës 1 qershor.
Rritja e Euros po vazhdon të tërheqë pas vetes edhe valutat e tjera të huaja. Dollari Amerikan u rikthye sipër vlerës së 100 lekëve për herë të parë që nga fillimi i muajit qershor.
Monedha amerikane u këmbue me 100.54 lekë, në rritje me tre lekë që nga fillimi i javës. Rritje në përmasa të ngjashme ka regjistruar edhe Paundi Britanik, që arriti të enjten vlerën e 127.38 lekëve, vlera më e lartë që prej fundit të muaji maj.
Sipas burimeve nga tregu, në ditët e fundit po vërehet një kërkesë e madhe për blerje nga bankat tregtare, veçanërisht nga njëra prej bankave të mëdha të sektorit. Periudha të tilla të shkurtra blerjesh janë vërejtur edhe herë të tjera gjatë këtij viti.
Një kërkesë e tillë mund të vijë si rezultat i një kërkese të lartë nga klientët e bankës ose për shkak të nevojës për të mbyllur pozicionet e hapura në valutë, nga shitjet e realizuara më parë.
Në këtë periudhë, është e vështirë të shpjegohet një kërkesë e madhe për valutë nga tregu, që të shpjegojë një rritje kaq të fortë të kursit të këmbimit të Euros.
Për momentin, as Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, një nga blerësit e mëdhenj në tregun valutor, nuk është duke kryer ndonjë procedurë të rëndësishme të importit të energjisë.
Sidoqoftë, nuk përjashtohet që shoqëri të mëdha tregtare të kenë vendosur të kryejnë blerje të mëdha të euros në këtë periudhë për nevojat e ardhshme, duke pasur parasysh se sezoni veror është drejt mbylljes.
Një mundësi tjetër mund të jetë edhe blerja e valutës për nevojat e shpërndarjes së dividendëve nga banka ose korporata të tjera të mëdha. Për shembull, vetëm Banka Kombëtare Tregtare për këtë vit ka vendosur të shpërndajë fitim në vlerën e 50 milionë dollarrëve amerikanë, bazuar në vendimin e Asamblesë së aksionerëve.
Rritja e shpejtë e kursit të Euros iu jep frymëmarrje atyre sektorëve që ishin dëmtuar nga zhvlerësimi i monedhës europiane, kyresisht eksportuesve të mallrave dhe bizneseve të turizmit. Rritja e euros iu mundëson bizneseve të akomodimit, që i sigurojnë të ardhurat kryesisht në euro, të sigurojnë më shumë frute nga sezoni turistik, që u karakterizua nga një numër rekord turistësh, por edhe çmimet në rritje.
Megjithëse ngelet për tu parë nëse rritja e Euros do të jetë e qëndrueshme, forcimi i monedhës europiane nga ana tjetër do të shtojë presionet inflacioniste në ekonomi. Leku i fortë ka qenë një nga barrierat që e ka mbrojtur pjesërisht ekonominë shqiptare nga rritja e fortë e çmimeve të mallrave në tregjet e huaja.
Gjithashtu, Leku i fortë ka mundësuar mbajtjen e normave më të ulëta të interesit krahasuar me shumicën e ekonomive të tjera. Një dobësim i qëndrueshëm i Lekut në kursin e këmbimit me shumë të ngjarë do të pasohet nga një rritje e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë në vjeshtë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor