Vendosni fjalën kyçe....

Noka thirrje SHBA-së: Ndërhyni urgjentisht për skandalin e vjedhjes së të dhënave të sistemit TIMS


Sekretari i Pëgjithshëm i Rithemelimit të PD-së Flamur Noka i ka bërë thirrje SHBA-së që të ndërhyjë për çështjen e marrjes së të dhënave të sistemit TIMS.

Në një deklaratë për mediat ai tha se bëhet fjalë për në kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit si dhe të NATO-s.

Noka tha se vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS është bërë nga Ermal Muça, të cilin e akuzoi edhe për vjedhjen e të dhënave të serverit të Tatimeve, target e makinave e numrat e telefonave.

Sipas tij, vjedhja e të dhënave ka të bëjë me operacionin ‘Metamorfoza’ e qeveritarët e lidhur me krimin kërkojnë të fshehin provat.

“Paniku i dosjes voluminoze të operacionit ‘Metamorfoza’ i ka futur në punë të paligjshme, në ekstra time, krimo-hajdutët e qeverisë dhe administratës. Çdo gjë për të fshirë gjurmët e provave që lidhin krimin e organziuar me pushtetin dhe majat e tij. Mënyra më e mirë për të fshirë gjurmët është magazina e të dhënave, apo databaza, dhe sistemi TIMS është vetëm një prej sirtarëve në depon e madhe të informacionit. Edi Rama angazhon ata që kanë përvojë në vjedhje dhe tjetërsim të të dhënave publike. Ndër ta Ervin Muçën që, pasi vodhi serverin e tatimeve, targat e makinave, nr e telefonave etj, në vend që të dënohej, u gradua drejtor IT në Policinë e Shtetit. Qëllimi ishte i qartë: fshirja e gjurmëve që do të lidhnin të dhënat e dala nga operacioni “Metamorfoza” në sistemin TIMS dhe databaza të tjera të të dhënave të shtetit.” – tha Noka.

Sekretari i Rithemelimit shtoi se Ervin Muça mbrohet nga kreui Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu dhe u gradua për misionin e ri, që ishte vjedhja e të dhënave të sistemit TIMS. Noka denoncoi mosveprimin e prokurorisë për çështjen e ndjeshme.

“Frika e tyre është me bazë të fortë. Ata e dinë se gjithë qeveria është këmbë e kokë në atë dosje. Për këtë kishte vetëm një rrugë: shkaterrimi i të dhënave, sepse te ato të dhëna është fundi i Qeverisë. Shërbëtori i Edi Ramës dhe bandës së tij, Ervin Muça kaloi nga Tatimet te Policia, edhe pse ai ishte në krye të vjedhjes së të dhënave të 630 mijë shqiptarëve nga database e Sistemit Cats të tatimeve. Dy vartës të tij u dënuan me shërbim prove, ndërsa Muça u gradua sepse e priste një detyrë e re kur të vinte koha. Ervin Muça mbrohet nga Ardi Veliu, kreu i Autoritetit të Mbikqyrjes Policore, famëkeq për përfshirje në të gjitha dekonspirimet e informacioneve të krimit të organizuar. Veliu është ushtari i Ramës që inskenoi bllokimin e Komisariatit nr, 3 ku ndodhen serverat e policisë. Kjo vjedhje e kryqëzuar dhe e organizuar, detyroi me të drejtë, Ambasadën Amerikane të ndërhynte. Por jo Prokurorinë, jo SPAKU-n, jo drejtësinë e rilindur të partisë së punëve të zeza dhe socializmit anti-shqiptar.” – shtoi Noka.

Në fund ai tha se personi që denoncoi këtë çështjem eksperti IT Gent Progni është kërcënuar pas zbulimit të asaj që Noka e quajti ‘batërdi’ e hedhje në erë të databazës së shtetit shqiptar duke u bërë thirrje SHBA-së e vendeve partnere të ndërhyjnë.

“I vetmi angazhim shtetëror kane qenë kërcënimet ndaj eksperit të IT Gent Progni, që e zbuloi dhe e publikoi këtë batërdi, këtë hedhje në erë të të dhënave, kufijve dhe databazës së shtetit shqiptar. Partia Demokratike e dënon me forcë këtë bashkim forcash për të fshehur të vërtetën, për të rrënuar shtetin, dhe u bën thirrje vendeve partnere, me në krye SHBA, të ndërhyjnë urgjentisht në kanale zyrtare ose jo. Çdo kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë është kërcënim edhe për NATO-n. Cdo vonesë në reagim është një ditë më shumë për krimin e organizuar me proteksion shtetëtor që i ka duar në të dhëna sensitive.”­ – mbylli denoncimin Noka.