PD-ja ka denoncuar kryeministrin Rama lidhur me çështjen e inceneratorëve dhe koncesionin e sterilizimit.
Në një deklaratë për gazetarët, zëdhënësja Karabina tha se projektet në fjalë janë ideuar e mbrojtur nga kreu i qeverisë ndërkohë që u kanë kushtuar qytetarëve rreth 450 milionë euro.
“Për 8 vjet rrjesht, Kryeministri Rama dhe qeveria e drejtuar prej tij kane mbrojtur me pathos politikën e incenerimit të mbetjeve dhe projektet e “mëdha” të kësaj qeverie në këtë sektor. Këto projekte, që u provuan nëpërmjet hetimeve të SPAK se, janë skema korrupsioni të ideuara, drejtuara dhe administruara nga nivelet më të larta të hierkisë qeveritare, i kanë kushtuar shtetasve shqiptarë 450 milion euro. Me dështimin e skemës së korrupsionit të inceneratorëve, qeverisë së “përgjegjësive personale”, i ka lindur nevoja për një skemë të re të zhvatjes së parave të taksapaguesve shqiptarë. Sipas të dhënave të disponuara nga Partia Demokratike, e të bëra publike edhe nga BIRN rezulton se Ilir Beqja, një tjetër zyrtar i lartë i qeverisjes që pritet se shpejti të mbajë përgjegjësi personale, në drejtimin e Agjencisë Shteterore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit te Ndihmës (SASPAC) e cila është në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, i ka propozuar Qeverisë dy projekte për Qarqet Elbasan dhe Fier.” – tha Karabina.
Ajo shtoi më tej se projektet në fjalë për Fierin e Elbasanin parashikojnë të vjelin rreth 130 milionë euro prej tyre duke rrënuar buxhetin e shtetit e taksat e qytetarëve.
“Këto dy projekte të cilësuara si “Unike me rëndësi kombëtare” parashikojnë të vjelin nga buxheti i shtetit shumën prej 113 milion eurosh, shumë e cila ndahet në 50 milion euro për qarkun Elbasan dhe 63 milion euro për Qarkun Fier. Për të dy këto qarqe nga Qeveria e “përgjegjësisë personale” vetëm për projektet e inceneratorëve janë shpenzuar rreth 60 milionë euro. Nga vjedhja tashmë e provuar e këtyre shumave kanë përfunduar në dyert e drejtësisë zëvendëskryeministra, ministra, deputet e funksionarë të tjerë të administratës shtetërore. Një skemë e re vjedhje po lind nga dora e personit të dyshuar për korrupsionin me sterilizimin dhe check up, Ilir Beqja përpara se të futet në kategorinë e atyre që mbajnë përgjegjësi personale, po i jep Edi Ramës mundësinë e ndërtimit të projekteve të reja, të cilat sipas standartit të kësaj qeverie do të jenë vjedhje të reja mbi rrënojat e vjedhjeve të vjetra.” – shtoi zëdhënësja e PD-së.
Në fund Karabina i bëri thirrje SPAK-ut që të vijojë hetimet për aferat e qeverisë ndërsa tha se është koha për miratimin e vettingut në politikë.
“Edi Rama sot duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë strukturën shtetërore të vjedhjes dhe korrupsionit të ngritur mbi inceneratorët, duhet të mbajë përgjegjësi për promovimin e politikave të dështuara që nuk kishin për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve por veshjen dhe justifikimin politik të një skeme të pastër shpërdorimi të fondeve të shtetit shqiptar. Sot është më i domosdoshëm se kurrë miratimin i ligjit për vettingun e politikanëve, si dhe miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK dhe organeve të drejtësisë për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë prej tij.” – mbylli deklaratën Karabina