Vendosni fjalën kyçe....

Reagon shefi i IT Ervin Muça: Si po spekulohet me problemet në Ministrinë e Brendshme


Drejtuesi i Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit Ervin Muça i akuzuar nga opozita se ka ndërhyrë në serverin e sistemit TIMS ka reaguar lidhur me të gjitha deklaratat kundër tij.

Muça si ka quajtur të gjitha akuzat e gënjeshtërta dhe shpjegon më tej pozicionin e tij me marrjen e detyrës.

Drejtori i IT-së shpjegon se me marrjen e detyrës nisi kryerjen e procedurës së “backup” ku vuri re se nuk ishte kryer si duhej më herët. Ai thotë se pasi urdhëroi “backup” hasi në sabotim nga persona që sipas tij tentojnë të cenojnë detyrën dhe integritetin.

Muça thotë se është i gatshëm të përballet për akuzat me këdo në organet e drejtësisë.

Postimi i plotë:

Bari ka ngjyrë blu-, tha gomari. Ai që i thoshte: E ke gabim, është i gjelbër -, dënohej, ndërsa gomari vazhdonte të pëlliste i lumtur për “fitoren”.

Unë nuk kam dashur prej kaq javësh të hyj në debat me asnjë gomar gënjeshtar. Por detyrimi ndaj publikut, ndaj detyrës, respekti ndaj vetes, miqve, kolegëve, më shtyn të mbaj këtë qëndrim të hapur për të gjithë baltën, shpifjet, akuzat, ngritur si tym në sy, e shpërndarë andej-këtej, ku mund të gjendet ndonjë gremç për t’u kapur. 

1. Akuzohem, unë drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, se paskërkësha marrë të dhënat e sistemit TIMS në një USB!!! GËNJESHTËR! GËNJESHTËR! GËNJESHTËR! Të dhënat e sistemit TIMS, as janë transferuar, as janë tjetërsuar. Porositësve për endjen e rrjetave të shpifjeve, u them vetëm se magjitë vudu në teknologji, nuk funksionojnë dhe do u kthehen kundër. 

2. Kur unë marr besimin për kryerjen e një detyre, nuk e nis punën duke menduar “si do përfitoj”, por se si do të shërbej. Është punë edukate, morali, ndershmërie dhe burrërrie. Nuk e di a i kanë këto karakteristika endësit e rrjetave të shpifjeve. Si drejtues i Lartë i Policisë, që në ditën e parë kam kërkuar informacion të detajuar për çdo hallkë, pjesëz dhe segment që ka lidhje me përgjegjësitë e mia. Kjo është mënyra për të dhënë më të mirën, për të mbajtur drejt peshën që të është ngarkuar, e për të siguruar të dhënat që përmbajnë sistemet. Një ndër procedurat kryesore me punën e përditshme të sistemeve është back-up. Jetike për qëndrueshmërinë e sistemeve dhe rikthimin në funksion, në rast sulmesh a fatkeqësish (kujtoj sulmin kibernetik iranian, ku sistemet tona u ringritën pas asistencës se pakushtëzuar nga DART i Microsoft dhe partnerët tanë strategjikë SHBA). Pikërisht për këtë, unë në vijimësi kam kërkuar informacion mbi mënyrën e kryerjes së proçedurës së back-up nga personat që e kishin detyrë funksionale. Vërejta se back-up, një proçedurë aq e domosdomoshme dhe e rëndësishme, nuk ishte kryer sic duhej. Kërkova të ribëhej. Dhe…vini re: Si përgjigje kam marrë sabotimin. Sigurisht që jam aq i përgjegjshëm sa të mos i bëj publikë këtu në këtë reagim emrat sabotues që guxuan të cënojnë detyrën, betimin, integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve, por patjetër që po përgatis raportin tim, për eprorët dhe organe të tjera ligjzbatuese. 

3. Unë, sot, tani, me këdo përballë, specialist i mirëfilltë, apo edhe autodidakt mëdiatik, jam gati të shkoj në institucionet tona hetuese, dhe sigurisht që një ditë do të shkojmë, për të provuar katërcipërisht se puna ime, nuk ka kaluar kurrë asnjë milimetër përtej përgjegjësive që më ngarkon detyra, e jo më të bëhem aktor filmash 007 me “vjedhje” materialesh mijëra TB në USB xhepi. Duhet të jesh shumë injorant ta shkruash këtë, dhe kush e di sa injorant të ndërtosh skenarë të tillë. 

4. Në fakt, nuk është vetëm njollosja e emrit tim ajo që më shqetëson. Është mbi të gjitha, mundësia se endësit e këtyre rrjetëzave të shpifjeve, mund t’ia hedhin pa lagur, duke fshehur të vërtetën dhe qëllimet e tyre të vërteta. Por për dijeni, po u kujtoj të gjithëve një fjalë të Budës: Ka dy gabime për rrugën e të vërtetës; të mos i shkosh deri në fund dhe të mos nisesh. Unë tashmë jam nisur. Deri sot gjithçkaje i kam shkuar deri në fund.