Ministria e Mbrojtjes e Kinës u kërkoi më 25 gusht Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta ndalojnë “armatosjen” e Tajvanit, pasi Departamenti amerikan i Shtetit e miratoi një shitje potenciale prej 500 milionë dollarësh të sistemeve të gjurmimit të avionëve luftarakë F-16 dhe pajisjeve të tjera në Tajvan.
“Kina i kërkon palës amerikane ta përmbushë në mënyrë efektive angazhimin e saj për të mos e mbështetur pavarësinë e Tajvanit, ta ndalojë menjëherë armatosjen e Tajvanit dhe ta ndalojë rritjen e lidhjeve ushtarake SHBA-Tajvan”, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes, Zhang Xiaogang, përcjell REL.
SHBA-ja, si shumica e vendeve të botës, nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, por është mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit dhe e furnizon atë me armë, gjë që e zemëron Pekinin.
Në fund të korrikut, SHBA-ja e prezantoi pakon e ndihmës ushtarake për Tajvanin në vlerë të 345 milionë dollarëve, e cila besohet se do ta forcojë kapacitetin e ishullit për ta luftuar ndonjë pushtim eventual nga Kina.