Projekti i rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII, për të cilin ka nisur ndërtimi aktiv në terren me dy lote, ka ndryshuar nga ai fillestar.
Detajet i dha zëvendëskryeministrja njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë një inspektimi në terren teksa shoqëronte Kryeministrin Edi Rama.
Sipas Ballukut ndërtimi në anën e Maqedonisë së Veriut për rrugën që është pjesë e korridorit të rëndësishëm ka nisur prej kohësh dhe Shqipëria është përshtatur duke gjetur një pikë më të afërt dalje në territorin shqiptar.
Por kjo zgjidhje duket ka shtuar një vepër të re që është një tunel prej 3 kilometrash. Sipas Ballukut kjo zgjidhje u arrit pas negociatave mes autoriteteve rrugore të dy vendeve si dhe ministrive përgjegjëse të Infrastrukturës.
“Kjo është një pjesë e rëndësishme e korridorit të VIII-të, që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon për 44 kilometra në një rrugë me të gjithë parametrat e autostradës moderne sa i takon kushteve të sigurisë dhe të kategorisë së rrugës dhe vazhdon deri në afërsi të Qafë Thanës.
Siç edhe jeni në dijeni, pas një bisede intensive me qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi vendosur të ndryshojmë pikën e daljes duke qenë se dhe nga krahu i Maqedonisë së Veriut ka nisur prej kohësh ndërtimi i korridorit të VIII kështu që duke punuar me të dy autoritetet rrugorë dhe me ministritë kemi arritur rezultatin që do ishte më mirë të kishim një pikë dalje më të afërt në territorin shqiptar e cila do të zgjidhet përmes një tuneli 3 kilometra.
Bëhet fjalë afër urës së Bushtricës dhe ndërkohë që pika e Qafë Thanës do të vazhdojë të aktive dhe të shërbejë ata qytetarët që duan të shërbehen atje” tha Balluku.
Sipas ministres nisja e punimeve në lotet e tjera, konkretisht 3 dhe 4 pritet brenda këtij viti ndërkohë që në vitin 2024 do të hapen lotet 5 dhe 6. Viti 2025 do të shënojë hapjen e loteve 7 dhe 8 duke u varur nga ecuria e financimeve.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi nënvizoi se loti i parë ku po avancojnë punimet është 5 kilometra dhe është tërësisht i ri. Rruga do të jetë 22 metra e gjerë dhe me katër korsi.
Segmenti i dytë 4.5 kilometra në afërsi të Librazhdit ka nisur gjithashtu teksa qeveria ka vendosur që në bazë të zhvillimeve të përshtaste tashmë edhe projektin e Bypass-it të Elbasanit ku projekti i ri do të dorëzohet në nëntor. Ku Bypass me gjatësi 20 kilometra shmang totalisht qytetin.
Ministrja Balluku sqaroi se Bypassi i Elbsanit ka qenë një marrëveshje me financim i huaj por tashmë për të mos zgjatur procedurat do të kërkohet financim nga një institucion i huaj që ka procedura më të përshpejtuara.
Sipas ministres, në vitin 2024 nis projektimi dhe zgjerimi i rrugës nga Elbasani në Lekaj me dalje në Rrogozhinë për të krijuar kështu akses të mirëfilltë në korridorin VIII teksa lidhja do të jetë e dyfishtë edhe përmes Kashar-Lekaj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor