Vendosni fjalën kyçe....

Linja ajrore aziatike do peshojë udhëtarët para fluturimeve


Pasagjerëve që fluturojnë me ‘Korean Air’ do t’u kërkohet të hipin në peshore para se të hipin në avion në javët e ardhshme, për të ndihmuar rregullatorët në Seul të përditësojnë standardet e peshës dhe ekuilibrit të avionit, njoftuan mediat koreano-jugore këtë javë.

Stacionet e peshimit do vendosen në Aeroportin Gimpo të Seulit për udhëtarët vendas nga 28 gushti deri më 6 shtator dhe në aeroportin Incheon për udhëtarët ndërkombëtarë nga 8 deri më 19 shtator, raportoi të hënën ‘Korea JoongAng Daily’.

Linja ajrore do regjistrojë peshën e çdo pasagjeri plus bagazhet e tyre të dorës, të cilat do t’i përcillen Ministrisë së Transportit të vendit. Ministria më pas do i përdorë këto të dhëna për të llogaritur peshën mesatare të një pasagjeri tipik, e cila do përdoret për të hartuar rregulloret mbi rregullimin e ndenjëseve dhe sa karburant shtesë duhet mbajë një aeroplan.

Stafi i linjës ajrore theksoi se pasagjerët me mbipeshë nuk do duhet të paguajnë më shumë dhe se të gjitha të dhënat e mbledhura do jenë anonime.

Sipas të dhënave të vitit 2021, mashkulli mesatar i rritur i Koresë së Jugut peshon 74.1 kg, ndërsa femra mesatare peshon 58.6 kg. Amerikani mesatar është dukshëm më i rëndë, me meshkujt që peshojnë 90.6 kg dhe femrat që peshojnë 77.5 kg (170.9 lb), sipas shifrave të vitit 2018 nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.