Vendosni fjalën kyçe....

“Shqiptarët pa alternativa, kompanitë celulare po degradojnë” – Denoncimi


PD ka denoncuar dy kompanitë që ofrojnë shërbime telefonike në vend, në kurriz të qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, anëtari i Këshillit Kombëtar Akil Kraja tha se prej muajsh qytetarët hasin probleme të mëdha për sa u përket shërbimeve që duhet të ofrohen nga dy kompanitë duke përfshirë probleme e transferimit të numrit, kostot e larta, ndërprerjen e shërbimi etj.

“Prej muajsh, konsumatorët shqiptarë shprehin shqetësime të shumta përballë rënies së cilësisë së shërbimit të ofruar nga operatorët e telefonisë celulare në vend. Pamundësi për të transferuar numrin, mos rakordim i pagesave, kosto të larta, ndërprerje shërbimi. Janë të shumta problematikat e hasura. Një shërbim i cili po degradon dhe më tej siç po ndodh ditët e fundit teksa mijëra e mijëra konsumatorë te njërës prej dy kompanive ne treg gjenden në pamundësi për të komunikuar normalisht. Një degradim i shërbimit të telefonisë celulare e cila vjen drejtpërsëdrejti nga mos veprimi adekuat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që ka detyrimin për të mbrojtur konsumatorin shqiptar dhe për të kërkuar nga operatorët respektimin e standardeve ligjore e komerciale që rregullojnë këtë treg. Një treg, i cili aktualisht është në një situatë duopolistike, me konkurrencë të kufizuar e alternativa jo-zëvëndësuese.” – tha Kraja.

Teksa përmendi punët e bëra  nga qeverisja demokrate për sa i përket tregut të kompanive celulare në vend duke e rritur atë në katër përmes investimeve e përmirësimit të ligjebe në këtë fushë, ai tha se pas vitit 2013 gjërat në vend nisën të përkeqësohen duke arritur sot në atë që ai e quajti katastrofë digjitale.

“Rikujtojmë, që në vitin 2005, në Shqipëri operonin dy operatorë të telefonisë celulare, ku njëri kishte shtetin aksioner. Pas finalizimit të privatizimit të tij me sukses nga qeveria demokrate, dhe hapjes së tregut ndaj investitorëve të huaj e vendas, duke rritur kështu konkurrencën dhe ofertat për konsumatorin vendas, Shqipëria në vitin 2013, arriti në numrin e 4 operatorëve privatë të telefonisë. Niveli i penetrimit të internetit u rrit nga 4,9% ne 63% kurse i telefonisë celulare nga 36% ne 184% në harkun e pak viteve. Shqipëria digjitale u be një realitet i prekshëm. Fatkeqësisht, në vend që të përparojmë, sot në Shqipëri po përjetojmë një katastrofë digjitale.” – shtoi Kraja.

Anëtari  i Këshillit Kombëtar të PD-së theksoi më tej se të dhënat e shqiptarëve janë sot të pasigurta si kurrë më parë duke përmendur problemet në Kadastër si dhe duke përsëritur akuzat për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS.

Kraja tha se sot shqiptarët janë pa alternative ndërsa administrata nuk është në shërbim të qytetarëve po të interesave korruptive anti-konkurrencë, anti-ligj e anti-treg të klientelës qeverisëse të Edi Ramës.

“Të dhënat personale të miliona shqiptarëve, të rrjedhura nga e-Albania trafikohen në tregun e zi krejt lehtësisht. Kadastra digjitale po rezulton një mega-dështim me pasoja të pallogaritshme për pronat e familjeve dhe sipërmarrësve shqiptarë. Rregjistri elektronik i kalimeve kufitare TIMS endet në një USB që bredh nga Tirana në Dubai. Dhe sikur këto të mos mjaftonin, tregu i telefonisë celulare nga 4 operatorë në 2013, ngushtohet aktualisht në 2, ku një nga operatorët nuk arrin dot të sigurojë as shërbimin më minimal. Konstatimi është evident. Qytetarët dhe konsumatorët shqiptarë janë pa alternativa dhe të pambrojtur nga shteti dhe agjencitë përkatëse përballë rreziqeve digjitale. Një situatë e cila në fakt pa asnjë hezitim, mund të marrë emërtimin e një katastrofe digjitale me kosto të jashtezakonshme për sigurinë tonë kombëtare. Një katastrofë digjitale e cila vjen në fakt nga amatorizmi, abuzimet, korrupsioni e kriminalizimi i një administrate që nuk i shërben taksapaguesit dhe konsumatorit shqiptar, por interesave korruptive anti-konkurrencë, anti-ligj, anti-treg të klientelës qeveritare të Kryeministrit Edi Rama.” – mbylli denoncimin Kraja.