Gjiganti amerikan i duhanit ‘Philip Morris’ dhe një tjetër prodhues i madh i cigareve, ‘Japan Tobacco’, janë etiketuar si ‘sponsorë ndërkombëtarë të luftës’, për shkak të operacioneve të tyre të vazhdueshme në Rusi, njoftoi të enjten Agjencia Kombëtare e Parandalimit të Korrupsionit të Ukrainës (NCPA).
‘Phillip Morris’ ka dy fabrika në rajonet e Shën Petersburgut dhe Krasnodarit të Rusisë. Pjesa e tregut e markave tregtare të kompanisë në vend ishte 30.1% në vitin 2019. Aktualisht, investimi total i ‘Philip Morris’ në Rusi i kalon 2 miliardë dollarë.
“Duke pasur besim në potencialin ekonomik të Rusisë, kompania po zbaton një program investimi afatgjatë në shkallë të gjerë”, deklaroi NCPA.
‘Japan Tobacco’ ka një pjesë 34.9% të tregut rus dhe është investitori më i madh dhe një tatimpagues kryesor në industrinë e duhanit të vendit, sipas agjencisë së Ukrainës kundër korrupsionit.
Megjithëse përfaqësuesit e kompanisë u zotuan të pezullojnë investimet e reja dhe aktivitetin e marketingut në Rusi, ‘Japan Tobacco’ vazhdon prodhimin dhe shitjet në vend, pretendon agjencia e Kievit.