Vendosni fjalën kyçe....

“Zhurmën për Kadastrën e bëjnë ata që kanë humbur pushtetin aty, noterët, sekserët, buburrecat brenda”


Kreu i qeverisë Rama ka sqaruar problematikën në Kadastrën e vendit.

Ai tha se ndërsa ajo duhet të kapërcejë presionin që vjen nga sekserët, noterët dhe një pjesë e punonjësve të cilët i emërtoi ‘buburreca’, puna aty po ecën si duhet dhe është në shërbim të qytetarëve.

“Sa i përket Kadastrës, kjo është një tabelë e të dhënave të Kadastrës. Me blu aplikimet hyrëse, me portokalli përgjigjet. As nuk diskutohet që sistemi funksionon, nxjerr në kohë të dhëna, por jemi në fazën kur sistemi duhet nga njëra anë të mësohet nga ata që e përdorin dhe nga ana tjetër duhet të kapërcejë presionin negativ të atyre që kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën, noterë, sekserë, buburreca brenda në Kadastër nuk kanë më pushtet mbi fatin e aplikimit të qytetarëve në Kadastër. Nga analizat e bëra, po ju jap vetëm një fakt që flet shumë, që 30% e aplikimeve të noterëve dhe noterët janë persona që nuk është se prekin kompjuterë për herë të parë, 30% bëjnë gabim. Sistemi ka një të keqe të madhe që nuk i futesh dot mik. O ta pranon, o nuk ta pranon. Nuk i futesh dot mik sistemit.” – tha Rama.

Më tej kryeministri tha se Kadastra përballet me një ngarkesë të shtuar, qoftë për sa i përket trajtimit të kërkesave të prapambetura qoftë për sa i përket shtimit të numrit të aplikimeve, sidomos gjatë periudhës së verës.

“Prapambetjet për çdo drejtori ku pavarësisht punës së madhe që u bë për disa vite në raport me llahtarën që trashëguam, faktikisht rendi i punës ishte jo i drejtë. Sistemi nuk të lë. Sistemi thotë ka aplikuar i pari ky person, ky do ta marrë i pari përgjigjen. U bë një pastrim i madh i të prapambeturave dhe pastaj u fillua me praktikat korrente të procesit. Nga ana tjetër kjo periudhë ka një gjë që e dimë shumë mirë të gjithë, vijnë njerëz shumë nga jashtë, të mësuar me sistemin e vjetër dhe numri i aplikimeve ka pasur një rritje shumë të madhe në gusht. Në një ditë, më 15 gusht ka pasur 32504 aplikime. Ndërkohë që me këtë sistem nuk ka fare rëndësi se ku je. Mund të aplikosh për titullin tënd të pronësisë dhe nga Amerika. Kështu që përmbledhja ime është shumë e thjeshtë. Është perfekt sot funksionimi? Aspak. Sepse duhet të axhustohet i gjithë funksionimi njerëzor. Patjetër që ka plot raste që nuk funksionon, por nuk funksionon se nuk bëhet aplikimi siç duhet. Por sot periudha e pritjes, e përgjithshmja është brenda një kohe të arsyeshme.” – theksoi Rama.