Vendosni fjalën kyçe....

“Biden mori ryshfet” – Intervista në Fox, ish-kryeprokurori ukrainas akuzon presidentin amerikan për korrupsion


Ish-prokurori i përgjithshëm ukrainas Viktor Shokin ka pohuar se Joe Biden, në kohën kur ishte zëvendëspresident i SHBA-së, ka marrë ryshfet nga një kompani energjetike ukrainase në këmbim të ndihmës për shkarkimin e tij në vitin 2016.

Në një intervistë me Fox News të premten, Shokin tha se Biden i bëri presion presidentit të atëhershëm ukrainas Pyotr Poroshenko për ta shkarkuar atë për hetimin e tij ndaj ‘Burisma Holdings’, një kompani energjie ukrainase në bordin e së cilës ishte Hunter Biden, djali i presidentit të tanishëm të SHBA-së.

Ish-prokurori argumentoi se si Poroshenko, ashtu edhe Joe Biden, e kuptonin se nëse do ishte lejuar të vazhdonte hetimin e tij ndaj ‘Burisma’, ai mund të kishte dhënë ‘faktet në lidhje me veprimtaritë korruptive’ nga Hunter Biden, Devon Archer – një tjetër ekzekutiv amerikan i kompanisë – dhe persona të tjerë të përfshirë.

Megjithatë, Poroshenko ofroi një version tjetër të ngjarjeve, duke këmbëngulur se Shokin u shkarkua për shkak të dështimit të tij për të luftuar korrupsionin në Ukrainë.

Shokin tha se ai kishte një ‘bindje të fortë personale’ se si Joe, ashtu edhe Hunter Biden, kishin ngjyer duart me çështjen ‘Burisma’.

“Ata po merrnin ryshfet. Dhe fakti që Joe Biden dha 1 miliard dollarë para amerikane në këmbim të shkarkimit tim, a nuk është edhe vetëm ky një rast korrupsioni?” ai pyeti.

Ish-zyrtari po i referohej një interviste të vitit 2018, në të cilën Joe Biden mburrej se në vitin 2015 ai kërcënoi se do bllokonte 1 miliard dollarë garanci kredie nga Poroshenko nëse Shokin nuk shkarkohej. “Epo, ai bir k*rve u pushua nga puna,” tha Biden.

Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams, hodhi poshtë pretendimet e Shokin, duke qortuar Fox Neës për ‘lejimin e platformës për thënien e gënjeshtrave nga një ish-prokuror i përgjithshëm ukrainas, zyrën e të cilit zëvendësi i tij e quajti ‘vatër korrupsioni’.

Akuzat për ‘quid pro quo’ që përfshinin Joe dhe Hunter Biden u ngritën nga Senatorët republikanë Lindsey Graham dhe Chuck Grassley në qershor, kur ata publikuan një dosje të një informatori të FBI-së.

Sipas dokumentit, një burim konfidencial ‘shumë i besueshëm’ thuhet se iu tha nga pronari i ‘Burisma’, Nikolay Zlochevsky se Joe dhe Hunter Biden morën 5 milionë dollarë secili për të përdorur ndikimin e tyre politik në Kiev.