Vendosni fjalën kyçe....

Kompania e bashkëshortit bëri biznes në Rusi edhe pas sulmit ndaj Ukrainës, kryeministrja e Estonisë: S’e jap dorëheqjen


Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas e ka bërë të qartë se nuk do e lirojë vullnetarisht postin e saj, pavarësisht një skandali të madh që përfshiu bashkëshortin e saj, skandal që shpërtheu në fillim të kësaj jave. Mediat raportuan se firma e tij logjistike vazhdoi të operonte në Rusi pasi Rusia sulmoi Ukrainën shkurtin e kaluar.

Një linja e ashpër kur bëhet fjalë për Rusinë, vetë Kallas ka këmbëngulur publikisht se ‘të gjitha bizneset me Rusinë duhet të ndalojnë’ për sa kohë që luftimet vazhdojnë.

Në një intervistë për median ERR të premten, kryeministrja tha: “Nuk kam në plan të jap dorëheqjen; kam shërbyer dhe do vazhdoj të shërbej si kryeministre për lirinë e Ukrainës dhe Estonisë.”

Kryeministrja pohoi gjithashtu se duke qenë se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk flasin kurrë për biznes në shtëpi, ajo nuk është në të vërtetë përgjegjëse në lidhje me marrëdhëniet e kompanisë së tij.

Po atë ditë, bashkëshorti i saj, Arvo Hallik, njoftoi se kishte vendosur të shiste ‘menjëherë’ të gjitha aksionet e tij në ‘Stark Logistics’ dhe të jepte dorëheqjen nga bordi i drejtorëve të kompanisë dhe të largohej nga të gjitha rolet që mbante në firmë.

Hallik sqaroi se kompania kishte ‘kryer shërbime transporti nga Estonia në Rusi për klientin tonë AS Metaprint’, sepse ai dhe kolegët e tij ‘besonin se ne po bënim gjënë e duhur, duke ndihmuar njerëzit e duhur dhe duke shpëtuar një kompani të mirë estoneze’.

Aktivitetet e firmës së Hallik, e cila teorikisht mund të kualifikohet si shkelje e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, u nxorën në dritë nga transmetuesi ERR të mërkurën. Duke folur me gazetarët, CEO i Stark Logistics pranoi se ndërsa shumica e aktiviteteve të saj ishin ridrejtuar në Poloni dhe Skandinavi, disa ishin kryer në Rusi edhe pas 24 shkurtit 2022.