Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku shumë pranë propozimit të një plani paqeje në Ukrainë – Hungaria


Presidentja hungareze Katalin Novak tha të shtunën se Papa Françesku është ‘shumë pranë’ propozimit të një plani paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.

Novak u takua me presidentin ukrainas Vladimir Zelensky në Kiev të mërkurën, përpara se të udhëtonte në Vatikan për një dëgjesë me Papën të premten. Mediat italiane vunë në dukje se takimi ishte jashtëzakonisht i gjatë, por Selia e Shenjtë zbuloi pak për atë që u diskutua.

“Biseda vijoi me fokus luftën në Ukrainë, me referencë të veçantë për gjendjen humanitare dhe përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit”, thuhet në një deklaratë nga Vatikani.

Duke folur për gazetën italiane ‘Il Messaggero’, Novak tha se pas takimit me Papa Françeskun, ajo mbetet ‘e bindur se tani jemi më afër realizimit të projektit për të cilin folëm me Papën gjatë udhëtimit të tij të fundit në Budapest katër muaj më parë’.

Papa vizitoi Budapestin në prill, duke u thënë gazetarëve më pas se kishte diskutuar një mision të fshehtë paqeje me Novak, kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe Mitropolitin Hilarion, një përfaqësues i Kishës Ortodokse Ruse.

“Ka një mision në rrjedhë tani, por nuk është ende publik. Kur të jetë publik, do ta zbuloj,” tha ai asokohe.

Novak nuk zbuloi hollësi të mëtejshme të planit për ‘Il Messaggero’.

Papa vizitoi gjithashtu Kievin në prill, ku foli me kryeministrin ukrainas Denis Shmigal. Megjithatë, Smighal u tha gazetarëve se dyshja kishin diskutuar vetëm një ‘formulë paqeje’ të paraqitur nga presidenti ukrainas Vladimir Zelensky.

Ky plan, i hedhur poshtë nga Moska, i bën thirrje Rusisë që të dorëzojë territoret e mëparshme ukrainase, Donetsk, Lugansk, Kherson, Zaporozhye e Krime, t’i paguajë dëmshpërblimet Kievit dhe të dorëzojë zyrtarë të lartë te gjykatat e krimeve të luftës.