Vendosni fjalën kyçe....

Videoja e vjetër shfrenon fantazinë e komentuesve mbi fatin e Prigozhin


Një video 40 sekondëshe e një interviste të vjetër në të cilën shefi i Wagner Yevgeny Prigozhin tha se më mirë do vritej sesa të gënjente vendin e tij dhe foli për një avion që do shpërbëhej në qiell, shkaktoi një vërshim teorish në internet të dielën për vdekjen e tij të supozuar.

Autoriteti i aviacionit të Rusisë tha se shefi i grupit Wagner ishte në një avion privat që u rrëzua në veriperëndim të Moskës pa të mbijetuar të mërkurën, saktësisht dy muaj pasi ai udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër shefave të ushtrisë. Kremlini tha se sugjerimet perëndimore se ai ishte vrarë me urdhër të tij ishin një ‘gënjeshtër absolute’.

Në videon e shkurtër, marrë nga një intervistë e botuar fillimisht më 29 prill me blogerin ushtarak rus Semyon Pegov, Prigozhin tha se Rusia ishte në prag të katastrofës, sepse struktura e mbrojtjes po dëbonte gradualisht thënësit e së vërtetës, të cilët kundërshtuan t’i bindeshin drejtuesve të lartë.

“Sot kemi arritur pikën e vlimit”, tha ai në videon e publikuar në Gray Zone, kanali Telegram i Wagner. “Pse po flas kaq çiltërisht? Sepse nuk kam të drejtë, para atyre njerëzve që do jetojnë në këtë vend. Tani po i gënjejnë. Më mirë më vrisni mua.”

Ai shtoi, “Por nuk do gënjej, duhet të them çiltërisht se Rusia është në prag të katastrofës. Dhe nëse këto dhëmbëza nuk rregullohen sot, atëherë avioni do shpërbëhet në ajër.”

Disa postime spekulonin se Prigozhin ishte gjallë. Disa persona thanë se ai  do shfaqej shpejt dhe do hakmerrej për atë që po i ndodhte vendit.

Disa komentues shkruan se do ishte mirë nëse Prigozhin dhe Sergei Surovikin, ish-komandanti i lartë i Rusisë, i cili u hoq nga posti i kreut të forcave ajrore ditën e rrëzimit të avionit të Prigozhin, ‘janë në Xhamajkë duke pirë pina colada dhe duke projektuar të ardhmen e përbashkët të madhe’.

Disa postime akuoznin Kremlinin, me një koment që thoshte se rrëzimi ishte vepër e presidentit Vladimir Putin, duke shtuar, “Duhet të jesh një amebë për të mos e kuptuar këtë”.

Disa postime fajësuan Francën, të tjera Ukrainën. Një postim thoshte se Ukraina kishte vrarë Prigozhin me urdhër të shërbimeve speciale amerikane ‘dhe anglo-saksonëve’.