Vendosni fjalën kyçe....

Bërnabiç tha se Kosova s’është shtet, i përgjigjet aty për aty Kurti


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ëshstë përgjigjur deklaratës së homologes së tij serbe, Ana Brnabiç, e cila në panelin e mbajtur të hënën në Forumin Strategjik të ‘Bled’, tha ekziston vetëm një shtet dhe jo dy, pasi sipas saj, Kosova nuk është e njohur ndërkombëtarisht, shkruan Koha.

Kurti ia ktheu aty për aty duke thënë se normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të ngatërrimit mes realitetit dhe fantazisë.

Ai ka thënë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë është i mundshëm nëse zbatohen marrëveshjet për të cilat është rënë dakord.

“Përkrahja për BE-në në Kosovë është 94 për qind, në Serbi 35 për qind. Kemi vendosur sanksione kundër Rusisë, Serbia nuk po mendon për këtë. Nuk është distancuar nga Millosheviç e as Putini. Nuk është e lehtë për ne. Dua të normalizoj marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë. Normalizimi me Serbinë është më i vështirë, por mund të ndodhë. Duhet të zbatojmë traktatin bazë që jemi dakordësuar në Bruksel. Normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit e fantazisë”, tha Kurti.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha më herët e pyetur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, se ‘është vetëm një shtet për të dhe nuk janë dy shtete’.

“E ashtuquajtura Republikë e Kosovës nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtare e OKB-së. Dyshoj se do bëhet pjesë e BE-së, derisa të ketë pesë shtete mosnjohëse. Normalizimi është në interes të Beogradit e Prishtinës, të serbëve dhe shqiptarëve, është në interes të gjithë rajonit, është qartë një gjë lartë në listën e prioriteteve tona”, ka thënë Bërnabiç.

Ajo tha gjithashtus se Serbia pret themelimin e Asociacionit.

“Normalizimi filloi me Marrëveshjen e Brukselit në prill të vitit 2013, pra dhjetë vjetë më parë, që ishte marrëveshja e parë mes Beogradit e Prishtinës, dhe që u nënshkrua edhe nga Bashkimi Evropian, nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së. E vetmja gjë që është dashur të bëjë Prishtina ka qenë themelimi i AKS-së. Gati 11 vjet më vonë, kemi çdo gjë vetëm Asociacionin jo. E z. Kurti thotë se Marreveshja e Brukselit nuk ekziston më. Është marrëveshja e parë e normalizimit, që duhet zbatuar. BE-ja është garantuese për zbatimin e plotë. Po e presim Asociacionin. Ne jetojmë për paqe e stabilitet. Është në interesin tonë të mbajmë paqen e stabilitetin në rajon”, deklaroi Bërnabiç.