Shtyhet deri më datë 15.09.2023, afati i aplikimeve dhe ndryshon kriteri i moshës, për shtetasit që aplikojnë për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë, të cilët kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, shkencat ekonomike ose në ato kompjuterike, dhe që kanë mesataren e notave mbi 8, në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në këto degë.
Nisur nga kërkesat e shumta, të adresuara në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë e Brendshme, për rishikimin e kriterit të moshës për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë, Ministri i Brendshëm, ka miratuar urdhrin për ndyshimin e kriterit të moshës, nga 30 vjeç në 35 vjeç, si dhe për shtyrjen e afatit të aplikimeve, deri më datë 15 shtator 2023, për t’iu dhënë mundësinë më shumë studentëve ekselentë, që të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Bazuar në parimet e meritokracisë dhe shanseve të barabarta, si dhe me qëllim plotësimin e organikës, me profesionistë të mirëpërgatitur dhe të mirëtrajnuar, për përmbushjen e objektivave të Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, më datë 10.08.2023, çeli aplikimet për pranim në Akademinë e Sigurisë, për studentët që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në shkencat juridike, shkencat ekonomike dhe kompjuterike, dhe që kanë mesataren e notave mbi 8, në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë në këto degë.
Kuotat e pranimit në Akademinë e Sigurisë, të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike, janë 100.
Aplikimet bëhen pranë të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë (si pranë atyre që kanë shpallur kuota pranimi në momentin e çeljes së aplikimeve, ashtu dhe pranë Drejtorive Vendore të Policisë që deri më tani nuk kanë shpallur kuota pranimi).
Pas përfundimit të konkurrimit, renditja e aplikanteve fitues sipas rezultateve të arritura do të bëhet në nivel qarku ku ata kanë aplikuar, në bazë të kuotave të shpallura për konkurrim.
Kanë të drejtë të aplikojnë shtetasit që plotësojnë kriteret e përgjithshme, standardet dhe kriteret e veçanta që lidhen me konkurrimin, si vijon:
Kriteret e përgjithshme janë:
- të jetë shtetas shqiptar;
- të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare dhe të mos jetë larguar nga shërbimi civil;
- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
- të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit B;
- të plotësojë standardet dhe kriteret e veçanta që lidhen me konkurrimin;
- të plotësojë kriteret për t’u pajisur me vërtetim besueshmërie.
Standardet dhe kriteret e veçanta që lidhen me konkurrimin janë:
- të ketë përfunduar studimet në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë, në shkencat juridike, shkencat ekonomike ose në shkencat kompjuterike;
- të jetë në moshë jo më shumë se 30 vjeç;
- të ketë mesataren mbi 8 të notave, në ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë;
- të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe 160 cm për femrat;
- të zotërojë gjuhën e huaj angleze, në nivelin mbi 60 pikë, sipas standardit ALCPT;
Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në drejtoritë vendore të policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:
- Formularin e aplikimit (Lidhja nr.1.);
- Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit. (Të dy nivelet e diplomave të jenë të së njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara).
Nota mesatare e ciklit të dytë të studimeve duhet të jetë e përllogaritur nga institucionet arsimore të arsimit të lartë.
Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të bëjnë njëvlershmërinë e diplomave të fituara jashtë vendit dhe përllogaritjen e notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve, në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë.
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;
- Certifikatë të gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura e Policisë ku kryhet aplikimi);
- Certifikatë familjare (nxirret nga struktura e Policisë ku kryhet aplikimi);
- Vërtetim nga gjykata;
- Vërtetim nga prokuroria;
- 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm.
Fazat e vlerësimit.
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar i nënshtrohen fazave të vlerësimit si më poshtë:
- a) Vlerësimi sipas notës mesatare të ciklit të dytë të studimeve në të njëjtën fushë studimi;
- b) Vlerësim me testim i zotërimit të gjuhës angleze, sipas standardit ALCPT;
- c) Intervistimi i aplikantëve;
- d) Kontrolli shëndetësor;
- e) Marrja e shenjave të gishtave;
- f) Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Listat e aplikantëve fitues do të jenë sipas kuotave të shpallura për konkurrim në nivel qarku.
Aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e përcaktuar brenda afatit të aplikimit. Në momentin e dorëzimit të dokumentacionit, aplikantit i jepet numri i aplikimit.
Aplikantët që nuk plotësojnë kriteret apo nuk kanë paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, njoftohen me shkrim nga strukturat vendore të burimeve njerëzore për arsyet e skualifikimit.
Aplikantët kanë të drejtën e ankimimit tek drejtori i drejtorisë vendore të Policisë, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes për skualifikim. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 2 ditëve pune nga data e marrjes së ankesës.
Aplikanti i shpallur fitues dhe që përfundon me sukses trajnimin në Akademinë e Sigurisë, nënshkruan kontratë pune me Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, dhe emërohet në strukturat vendore të policisë, sipas nevojave të Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kibernetik, ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve dhe që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.