Ditën e sotme zhvillohet në Tiranë rivarrimi i eshtrave të Qazim Mulletit, pas kthimit të tyre në Shqipëri javën që kaloi.
Nga ora 09.00 deri në 12.30 zhvillohen homazhe në shtëpinë funerale Alba 2000.
Në homazhe ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Më pas, në 13.00 në xhaminë e Kokonozit tek Pazari i Ri, do të zhvillohen ritet fetare.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 14.00 në varrezat e Shish-Tufinës.
Qazim Mulleti ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare në Romë ndërsa gjatë aktivitetit të tij ai ka qenë kryetar bashkie në Tiranë në vitet 1939-1940 dhe prefekt i kryeqytetit në vitet 1942-1944. Gjatë regjimit komunist ai u largua si emigrant politik në Itali ku edhe u varros pas vdekjes atje.
Në Shqipëri figura e Qazim Mulletit ka nxitur debate dhe interpretime të ndryshme për rolin dhe aktivitetin e tij.
Edhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 ka hapur fashikujt për Qazim Mulletin i cili mbante pozicionin e Prefektit të Tiranës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Autoriteti bën me dije se në dokumentet “më se shumti janë urdhëresa, vendime të dala nga zyra Prefektit të Tiranës. Shkresat janë pa asnjë gabim në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, plot stil dhe referime ligjore që të bën të kuptosh që sterotipi i Prefektit ‘injorant’ ishte një produkt fake i propagandës”.
Në dosje ka edhe një biografi të shkruar për Qazim Mulletin.
Sipas Autoritetit ndryshe nga sa e përshkruante propaganda komuniste e kohës në dokumente gjendet edhe një shkrese e brendshme e autoriteteve italianeve sipas të cilës Prefekti i Tiranës zhvillon propagandë kundër autoriteteve italiane dhe se është nacionalist. Po këtu gjendet edhe një tjetër shkresë e autoriteteve italiane ku thuhet se “ai favorizon Myslym Pezën një ‘drejtues bandash’.