Një 33-vjeçar është arrestuar me dyshimet se i vodhi një turisti italian celularin në vendin e quajtur “Banjat e Bënjës”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga një shtetas italian, se i kishin vjedhur celularin, në vendin e quajtur “Banjat e Bënjës”, Përmet, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga Policia, është identifikuar, kapur dhe arrestuar autori i dyshuar i vjedhjes së celularit të 23-vjeçarit italian, shtetasi E. Q., 33 vjeç, banues në fshatin Malshovë, Përmet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”- njofton policia.