Qindra vullnetarë iu bashkuan një gjuetie dyditore për përbindëshin fantastik të Loch Ness të Skocisë, në atë që organizatorët e përshkruan si kërkimi më i madh për “Nessie”-n e pakapshëme në më shumë se 50 vjet.
Qendra e Loch Ness, e cila bashkëpunoi me ekipin kërkimor vullnetar të Loch Ness Exploration për të organizuar gjuetinë, tha se do përdornin pajisje modern që nuk ishin provuar më parë në liqen, duke përfshirë dronët termikë.
Vullnetarëve nga e gjithë bota iu caktuan vende rreth liqenit 37 km të gjatë nga ku mund të mbikëqyrnin për ndonjë shenjë të Nessie-t, ndërsa të tjerët u nisën me varka. Një hidrofon u përdor gjithashtu për të zbuluar sinjalet akustike nën ujë.
“Ne dëgjuam diçka. Ne dëgjuam katër sinjale të veçanta,” tha udhëheqësi i kërkimit Alan McKenna.
“Të gjithë u emocionuam pak, vrapuam për të siguruar që regjistruesi të ishte ndezur.”
Regjistrimi i parë i shkruar i një përbindëshi lidhet me murgun irlandez St Columba, i cili thuhet se ka dëbuar një ‘bishë uji’ në thellësitë e lumit Ness në shekullin e 6-të.
Fotografia më e famshme e Nessie-t, e vitit 1934, tregonte një kokë në një qafë të gjatë që dilte nga uji, por 60 vjet më vonë u zbulua se ishte një mashtrim që përdorte një model përbindëshi deti të lidhur me një nëndetëse lodër. Përpjekje të panumërta të pasuksesshme për të gjetur përbindëshin janë bërë në vitet që nga ajo kohë.
Interesi i vullnetares amerikane Caroline McNamara për Nessie filloi kur ajo ishte në shkollë.
“Zgjodha përbindëshin e Loch Ness-it si detyrën time eseistike dhe mendova, ‘oh 20 vjet më vonë ai bëhet rrethi i plotë, kështu që unë mund të vij dhe të bashkohem me gjuetinë’ pasi dëgjova se po ndodhte,” tha ajo, duke shtuar se kështu deri tani nuk kishin gjetur asnjë provë.
Të apasionuarit pas Nessie-t që nuk ishin në gjendje të bënin udhëtimin u ftuan të merrnin pjesë duke parë transmetime të drejtpërdrejta nga kamerat e faqes në internet të ekipit për ndonjë pamje misterioze nëpër ujëra.