FBI tha të martën se ka shkatërruar një rrjet pajisjesh të hakeruara përgjegjëse për zhvatjen e dhjetëra milionë dollarëve nga persona që kanë rënë viktimë në mbarë botën.
Zyrtarët amerikanë e përshkruan rrjetin e njohur si ‘Qakbot’ si një nga ‘botnetet’ më famëkeq në botë, duke iu referuar rrjeteve kompjuterike që janë infektuar me programe me qëllim të keq në mënyrë që ato të mund të kontrollohen nga largësia pa dijeninë e pronarit – shpesh për të dërguar email mashtruese.
Këto emaile nga ana tjetër mund të përdoren për të hakeruar sistemet kompjuterike të viktimave, të cilat më pas hakerat do t’i mbajnë për të kërkuar shpërblim, shkruan Bloomberg.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ‘Qakbot’ luajti rol kyç në mundësimin e sulmeve kibernetike kundër bizneseve dhe shërbimeve jetësore në mbarë botën, duke përfshirë goditjet në Departamentin e Sherifit të Qarkut San Bernardino dhe spitalet e drejtuara nga Prospect Medical Group. Kjo e fundit çoi në mbylljen e dhomave të urgjencës dhe objekteve mjekësore në të gjithë SHBA-në.
“FBI e neutralizoi këtë zinxhir furnizimi kriminal të gjerë, duke e gjunjëzuar”, tha në një deklaratë drejtori i Byrosë Federale të Hetimit të SHBA, Christopher Wray.
“Viktimat shkonin nga institucionet financiare në Bregun Lindor deri te një kontraktor qeveritar i infrastrukturës jetësore në Midwest e deri tek një prodhues i pajisjeve mjekësore në Bregun Perëndimor.”
Zyrtarët amerikanë vlerësuan se, që nga krijimi i tij në 2008, ‘Qakbot’ kishte infektuar rreth 200,000 kompjuterë në SHBA dhe 700,000 në mbarë botën.