Vendosni fjalën kyçe....

Grushti i shtetit në Gabon i teti në ish-kolonitë franceze 3 vitet e fundit, një vit  më parë vendi iu bashkua Commonwealth-it


Presidenti i Gabonit Ali Bongo ka bërë apel për ndihmë pasi ushtria e rrëzoi atë në një grusht shteti dhe e vendosi në arrest shtëpie.

Duke folur nga ajo që tha se ishte rezidenca e tij, ai u kërkoi mbështetësve të ‘ngrenë zërin’.

Më herët, oficerët e ushtrisë dolën në TV për të thënë se kishin marrë pushtetin. Ata thanë se po anulonin rezultatet e zgjedhjeve të së shtunës, në të cilat Bongo u shpall fitues, por opozita tha se ishin të manipuluar.

Oficerët thanë gjithashtu se kishin arrestuar një nga djemtë e zotit Bongo për tradhti. Rrëzimi nga pushteti i Bongos do t’i jepte fund mbajtjes 55-vjeçare të pushtetit në Gabon nga familja e tij.

Vendi është një nga prodhuesit kryesorë të naftës në Afrikë, ndërsa gati 90% e tij është e mbuluar nga pyjet. Ai u bashkua me Commonwealth në qershor 2022, duke u bërë një nga anëtarët e paktë të grupit që nuk kishte qenë një koloni britanike.

Grushti i shtetit në Gabon, çfarë dihet

Ku ndodhet Gaboni? Është një vend i pasur me naftë në bregun perëndimor të Afrikës Qendrore, me një popullsi të vogël prej vetëm 2.4 milionë banorësh.

Kush është Ali Bongo? Ai u shpall fitues i zgjedhjeve të diskutueshme të së shtunës dhe është president që nga viti 2009. Para kësaj, babai i tij ishte në pushtet për 41 vjet.

Pse ndodhi grushti i shtetit sipas ushtrisë? Ushtria nuk i pranoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thotë se mori pushtetin për të ruajtur paqen.

Në videomesazhin e tij, Bongo konfirmoi se ishte në arrest shtëpiak.

“Djali im është diku, gruaja ime është në një vend tjetër…Asgjë nuk po ndodh. Nuk e di se çfarë po ndodh”, tha ai në anglisht, përpara se të kërkonte sërish ndihmë.

Një kompani komunikimi që punonte për presidencën gjatë zgjedhjeve ka qenë në kontakt me BBC për të konfirmuar vërtetësinë e pamjeve. Ajo tha se ishte kërkuar nga zyra e Bongos për të shpërndarë videon.

Në deklaratën e tyre televizive, krerët e grushtit të shtetit thanë se po anulonin rezultatet e zgjedhjeve dhe po shpërndanin ‘të gjitha institucionet e republikës’.

Kjo erdhi pasi komisioni zgjedhor i Gabonit tha se Bongo kishte fituar pak më pak se dy të tretat e votave në zgjedhjet e së shtunës, për të cilat opozita argumentoi se ishin të manipuluara.

Një nga ushtarët tha se ata ‘i kishin dhënë fund regjimit aktual’ për shkak të ‘qeverisjes së papërgjegjshme dhe të paparashikueshme që çoi në një përkeqësim të vazhdueshëm të kohezionit social që rrezikon ta çojë vendin në kaos’.

Bongo do zëvendësohej nga kreu i gardës presidenciale, Gjenerali Brice Oligui Nguema dhe se disa zyrtarë do të ‘përgjigjeshin për veprimet e tyre’ pas një hetimi.

Kufijtë e vendit do jenë të mbyllur ‘deri në njoftimin e mëtejshëm’, shtuan ata.

Ky është grushti i tetë i shtetit në ish-kolonitë franceze në Afrikë në tre vitet e fundit. Megjithatë, shumica e të tjerëve kanë qenë më në veri, në rajonin e Sahelit. Pas grushtit të shtetitnjerëzit dolën shpejt në rrugë, duke u shfaqur vërtet të kënaqur.

Qeveria franceze ka dënuar grushtin e shtetit, me një zëdhënës që ka bërë thirrje që të respektohen rezultatet e zgjedhjeve.

Megjithatë, ndikimi francez në Afrikë është zbehur ndjeshëm vitet e fundit. Në të vërtetë, ushtria mund të ketë parë rënien e fuqisë franceze dhe është ndjerë e fuqizuar për të ndërhyrë, me Parisin që ka pak gjasa për të vepruar në mbështetje të Bongos.

Përdorimi i anglishtes nga Bongo në videon e tij, në vend të frëngjishtes, që është gjuha zyrtare e Gabonit, sugjeron se ai po i drejtohej Commonëealth-it dhe jo Francës.

Rusia dhe Kina janë ndër vendet e tjera që kanë shprehur shqetësimin e tyre. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian tha se një kontroll ushtarak do rriste paqëndrueshmërinë në Afrikë.

“Kjo është një çështje e madhe për Evropën,” tha Josep Borrell.

Në vend është vendosur shtetrrethimi ndërsa qasja në internet është rivendosur, pas pezullimit. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme të përgjithshme në Gabon, pati shqetësime serioze për procesin në votimin e së shtunës.

Kandidati kryesor i opozitës Albert Ondo Ossa u ankua se shumë qendrave të votimit nuk kishin fletë votimi me emrin e tij, ndërsa koalicioni që ai përfaqëson tha se emrat e disa prej atyre që ishin tërhequr nga gara presidenciale ishin ende në fletën e votimit.

Grupi i fushatës Reporterët pa Kufij tha se mediave të huaja u ishte ndaluar të shkelnin në vend për të mbuluar votimin.

Të dyja fitoret e mëparshme të  Bongos u kundërshtuan si të manipuluara. Bongo erdhi në pushtet kur babai i tij Omar vdiq në vitin 2009.

Në vitin 2018, ai pësoi një goditje në tru, e cila e la mënjanë për gati një vit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani