Vendosni fjalën kyçe....

Rama intervistë për televizionin shtetëror grek: Beleri? Ish-zëvendësi im është në kërkim, 4-5 kryebashkiakë në paraburgim


Pas intervistës së para pak ditëve me median greke Kathmerini, kryeministri Rama dha sot një tjetër intervistë me një media të vendit fqinj, me televizionin shtetëror ERT.

Temë e intervistës ishte çështja e Fredi Belerit që ka çuar në tensione të rritura mes Tiranës e  Athinës.

Kryeministri tha se ai dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë mundësi që të ndërhyjne te puna e organeve të drejtësisë.

Rama i tha gazetarit  grek se ish-zv.kryeministri Ahmetaj është në kërkim nga SPAK ndërsa disa kryebashkiakë janë në paraburgim, gjë që sipas tij pohon qëndrimin e qeverisë ndaj organeve të drejtësisë.

“Që në momentin kur SPAK, prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit. Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye:Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare.” – tha Rama.