Vendosni fjalën kyçe....

Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i mjeshtrit indian të shahut që mahniti botën


Familja e mjeshtrit të madh Rameshbabu Praggnanandhaa, i cili zuri faqet kryesore në shumë media për arritjen e finales së Kupës së Botës, foli rreth suksesit dhe rrugëtimit deri në finale.

Në Kupën e Botës së fundit të shahut, ishte një grua e moshës së mesme, pa shumë njohuri për ndërlikimet e kësaj loje të mendjes, ajo që rrëmbeu titujt e lajmeve. Ishte një rol për të cilin N. Nagalakshmi – nëna e mjeshtrit 18-vjeçar indian Rameshbabu Praggnanandhaa, finalistit më të ri të Kupës së Botës – ishte më pak e përgatitur.

Praggnanandhaa krijoi një sensacion në Kupën e Botës në Baku javën e kaluar, duke mposhtur shumë kampionë përpara se të merrte fillimisht barazimin në finale me shahistin më të mirë në botë aktualisht, Magnus Carlsen.

Praggnanandhaa, i njohur me nofkën Pragg, ishte indiani i dytë që arriti në finalen e Kupës së Botës, pas legjendarit Viswanathan Anand.

Pas disa ditësh dhe katër ndeshjesh intensive, Carlsen përfundimisht fitoi duke marrë titullin e Kupës së Botës për herë të parë në karrierën e tij të praruar. Megjithatë, fakti që magjistari i shahut Pragg e tërhoqi zvarrë norvegjezin drejt një barazimi u festua njësoj në Indi dhe simbolikisht përkoi me zbarkimin e misionit të vendit Chandrayaan-3 në Hënë.

Por nuk ishte vetëm Pragg ai që bëri bujë në Indi dhe më gjerë. Nëna e tij, Nagalakshmi, ka udhëtuar me të dhe ka gatuar për të që kur ai filloi të luante shah në moshën shtatë vjeçare. Një gazetar i RT intervistoi për herë të parë gjeniun e shahut si dhe familjarët e tijj.

Udhëtimi i gjatë i nënës

Fotot e Nagalakshmi nga vendi i ngjarjes në Baku, Azerbajxhan, u bënë virale globalisht. Edhe profesionistët u prekën nga pamja e nënës që shikonte me dashuri djalin e saj në një konferencë për shtyp.

Ajo as që ishte në dijeni se dikush po e fotografonte. Në një farë kuptimi, zonja modeste nga Chennai në shtetin jugor të Indisë, Tamil Nadu, pa arritjen e djalit të saj duke u bërë finalisti më i ri në historinë e Kupës së Botës.

Pragg është një mrekulli shahu në kuptimin e vërtetë. Në moshën 10 vjeç e nëntë muaj, ai u bë mjeshtri ndërkombëtar (IM) më i ri në botë në vitin 2016. Ndërsa vlerësimi i ka kaluar që atëherë dikujt tjetër, Pragg ishte indiani i parë që vendosi një rekord botëror shahu. Ai u bë personi i dytë më i ri që ka arritur ndonjëherë statusin e mjeshtrit të madh, pas Sergej Karjakinit të Rusisë, në moshën 12 vjeç e 10 muaj në 2018.

Nagalakshmi e ka shoqëruar Pragg dhe motrën e tij të madhe R. Vaishali në turne jashtë Indisë për më shumë se një dekadë. Fama e saj e sapogjetur është disi befasuese për familjen.

“Kam dëgjuar më shumë pyetje për praninë e nënës sime në Baku sesa arritjen e Pragg në kryeqytetin e Azerbajxhanit,” tha Vaishali, 22 vjeç, duke qeshur.

Pamja e Nagalakshmi ka bërë një përshtypje të fortë në mbarë botën për shkak të tërheqjes emocionale.

“Jam krenare që dëgjoj shumë njerëz që flasin për nënën time, sepse ajo simbolizon shpirtin e të gjitha nënave që shoqërojnë fëmijët e tyre që luajnë shah në turnetë në Indi. Nëna ime ka punuar jashtëzakonisht shumë gjatë gjithë këtyre viteve, sepse i është dashur të kujdeset për dy fëmijët e saj globitqarë”, tha Vaishali për RT.

Sipas Vaishalit, udhëtimet e vijueshme kanë ndikuar në shëndetin e nënës së saj.

“Por asgjë nuk mund ta ndalojë atë të na ndihmojë. Roli i babait tim nuk është më pak i rëndësishëm, pasi ai rezervon biletat tona të fluturimit dhe dhomat e hotelit me përpikmëri. Ai është eksperti ynë i udhëtimeve. Nëse unë dhe Pragg jemi në gjendje të përqendrohemi te shahu, merita duhet t’u shkojë prindërve të mi”, tha Vaishali.

Asnjë presion për sukses

Nagalakshmi dhe burri i saj, A. Rameshbabu, fillimisht e dërguan Vaishalin në stërvitje shahu për ta lejuar atë të mësonte diçka interesante. Ndjenja e saj e natyrshme për lojën nënkuptonte se ajo filloi rregullisht të merrte pjesë në turnetë e grupmoshave.

Pragg ishte plot energji gjatë asaj periudhe. Ndërsa shoqëronte rregullisht nënën e tij në kurset e shahut të Vaishalit, edhe Pragg tregoi interes për lojën. Pjesa tjetër, siç dëshmojnë librat e rekordeve, është histori.

Prindërit indianë mund të jenë shtytës. Nga përzgjedhja e sportit të fëmijëve të tyre tek zgjedhja e bashkëshortëve, ata duan një rol në çdo gjë. Fëmijët pritet të bëjnë sakrificën e prindërve të tyre të vlefshëm përmes suksesit. Jo një cikël i virtytshëm, do të thoshin psikologët.

Por Nagalakshmi dhe burri i saj rrallë i shtyjnë fort fëmijët e tyre për medalje dhe trofe.

“Ne kurrë nuk i kemi vënë fëmijët tanë nën presion për sukses,” tha Rameshbabu.

“Si mund dikush të vazhdojë të fitojë gjatë gjithë kohës? Rezultatet janë dytësore. Unë dhe gruaja ime dëshirojmë që ata të shijojnë lojën e tyre.”

Mjeshtri i madh indian R Praggnanandhaa me babanë e tij Rameshbau, nënën Nagalakshmi dhe motrën R Vaishali në Chennai në 2019

Nuk u dorëzua kurrë

Rameshbabu, i cili punon në një bankë në Chennai, nuk mund të ecë pa ndihmë si pasojë e poliomielitit në njërën këmbë. Pra, përgjegjësia është mbi Nagalakshmi për të shoqëruar Pragg dhe Vaishali në udhëtimet e huaja.

Ajo funksionon si kuzhiniere për fëmijët e saj. Pas humbjes ndaj pesë herë kampionit të botës Carlsen në finalen e Kupës së Botës, Pragg pranoi se prania e nënës së tij ishte një ndihmë e madhe në turneun e gjatë.

Rameshbabu dhe Nagalakshmi iu desh të duronin vështirësitë që herët, pasi ata nuk kishin të ardhura për të çuar Pragg dhe Vaishali përpara. Të luash shah është e lirë, por të bëhesh një lojtar i klasit botëror nuk është.

Rameshbabu është i vetmi që fiton para në familjen e shtresës së mesme. Fakti që Nagalakshmi, duhej të ishte në aeroplan pothuajse në të gjitha udhëtimet jashtë vendit, e bëri punën e tij më të vështirë. Pasi Pragg filloi të fitonte, sponsorët filluan të ndihmojnë duke lehtësuar shqetësimet financiare të Rameshbabu.

Vaishali, e cila është katër vjet më e madhe se Pragg, i ka parë prindërit e saj në vështirësi financiare.

“Edhe pse nuk ishte e lehtë për ta të mbështesnin karrierën e dyve, ata kurrë nuk u dorëzuan. Për fat të mirë për ne, rezultatet nuk janë të rëndësishme për ta, por procesi është i rëndësishëm. Prindërit tanë na nxisin të punojmë shumë. Asnjëherë nuk kam ndjerë presionin për të fituar. Mund të thosha se puna e tyre e palodhur më ka bërë më të përgjegjshme,” shtoi ajo.

Vaishali është krenare për arritjen e të vëllait të saj në Baku.

“Jam e emocionuar që ai është kualifikuar në turneun e kandidatëve, nga i cili kualifikohet për Kampionatin Botëror. Për shahistët, Kampionati Botëror është qëllimi përfundimtar dhe të dish që Pragg është një hap larg realizimit të ëndrrës së tij është një gëzim i madh”, tha ajo.

Rameshbabu tha se gruaja e tij ka kontribuar në 90% të suksesit të Pragg.

“Vendosmëria është gurthemeli i jetës së Nagalakshmit. Sapo të vendosë të bëjë diçka, ajo do ta përfundojë pa u shqetësuar për pengesat që mund të hasë. Në të njëjtën kohë, ajo do mendojë thellë përpara se të marrë një vendim dhe nuk bëhet fjalë për kthimin e saj prapa. Puna ime është e lehtë. Unë do t’i them ‘po’ çdo gjë që ajo thotë sepse e di që ajo do kishte gjithmonë të drejtë,” shtoi ai.

Thyagarajan, trajneri i parë i Vaishali dhe Pragg, ka pasur një pamje të drejtpërdrejtë të familjes për një kohë të gjatë.

“I kam njohur që nga viti 2007. Rameshbabu dhe Nagalakshmi nuk e kanë harruar luftën e tyre për të mbështetur karrierën e Vaishali dhe Pragg herët. Kjo është arsyeja pse ata mbeten jashtëzakonisht të thjeshtë edhe kur fëmijët e tyre janë bërë yje në shah,” tha ai.

Thyagarajan tha se kontributi i Nagalakshmi në bërjen e Pragg një lojtar të klasit botëror nuk mund të përshkruhet me fjalë.

“Unë do thoja se ajo është arsyeja kryesore e suksesit të Pragg. Më kujtohet ende se sa shumë udhëtonte ajo çdo ditë për t’u siguruar që fëmijët e saj të ndiqnin klasat e shahut gjatë viteve të formimit. Pasi i linte në mëngjes, ajo shkonte në shtëpi dhe gatuante ushqim për ta sjellë përsëri në qendrën time të stërvitjes gjatë drekës,” tha ai.

Sipas trajnerit, Rameshbabu dhe Nagalakshmi janë prindër model.

“Nuk kam parë kurrë në jetën time prindër si ata. Ata janë një frymëzim për të gjithë. I përdor fjalimet e tyre për të motivuar prindërit e fëmijëve që stërviten në akademinë time. Ka një kimi të mrekullueshme mes burrit dhe gruas, pasi ata vazhdojnë të drejtojnë karrierën e fëmijëve të tyre ashtu siç duhet”, shtoi ai.

Thyagarajan ka parë prindër tepër të zellshëm që shkatërrojnë karrierën e fëmijëve të tyre.

“Shumë prindër ndërhyjnë në stërvitje pa ditur asgjë për shahun. Rameshbabu dhe Nagalakshmi nuk e bëjnë kurrë këtë. Ata u besojnë trajnerëve. Mbi të gjitha, ata e dinë se njohuritë e tyre në shah janë minimale dhe nuk mund t’i shtojnë asnjë vlerë stërvitjes. Nuk i kam parë kurrë që të bëjnë presion mbi Vaishalin dhe Pragg; ata vetëm luten për suksesin e fëmijëve të tyre”, shtoi ai.

Nga T.N. Raghu, një gazetar dhe komentues i lartë nga Chennai. Ai publikoi intervistën e parë të madhe me vëllezërit e motrat e shahut në vitin 2012

VINI RE: Ky  material është pronësi intelektuale e RT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani