Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç i thotë Lajçakut se është “shumë i shqetësuar” lidhur me situatën në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i tha përfaqësuesit të posaçëm të bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se është “shumë i shqetësuar lidhur me zhvillimin e ngjarjeve” në Kosovë.

Vuçiç dhe Lajçak u takuan në Beograd më 30 gusht dhe sipas një postimi të bërë në llogarinë e presidentit serb në Instagram, zhvilluan një takim prej më shumë se dy orësh.

Takimi në Beograd vjen pasi Lajçak tha më 28 gusht se kishte zhvilluar “një takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, si pjesë e përgatitjeve për rundin e ri të dialogut në nivel të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.

“Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.

Më 30 gusht, Bashkimi Evropian përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 3 qershor, BE-ja tha se pret nga Kosova dhe Serbia të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe menjëherë të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – të garantojnë sigurinë dhe pjesëmarrjen demokratike të të gjithë qytetarëve dhe të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur në Bruksel më 27 shkurt.

Kurti dhe Vuçiç për herë të fundit janë takuar më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës, që u bojkotuan nga serbët.

Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut. Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të BE-së, blloku evropian ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Në korrik, në Bratisllavë Kosova dhe BE-ja u pajtuan për hapat drejt shtensionimit, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri./REL