Vendosni fjalën kyçe....

“Lutem për Fatos Nanon në këto orë të vështira të luftës për jetën” – Rama i akordon Medaljen e Mirënjohjes Publike


Kryeministri Rama i ka akorduar ish-kryeministrit e ish-kreut të PS-së Fatos Nano, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, Medaljen për Mirënjohje Publike’.  

Në një shënim në Facebook kreu i qeverisë shkruan se lutet për Nanon në këto orë të vështira për liderin historik të PS-së.

Rama nënvizon se Nano e ktheu vuajtjen e burgosjes në burim të një fryme liberale në udhëheqje në kohën kur vendi përballej me konfliktin politik dhe egërsinë e kapërcimit historik të ndërrimit të sistemeve.

“LUTEM PËR FATOS NANON

Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.” – shkruan Rama.