Korporata Shqiptare e Investimeve synon të angazhohet në projekte të lidhura me energjinë e rinovueshme dhe konkretisht dy impiante fotovolatikë.
Ideja paraprake e këtij institucioni, të ngritur nga qeveria në dhjetor 2019 pritet që të marrë formë finale pas një studimi fizibiliteti që do të zhvillohet nga kompania konsulente.
Vetë Korporata bëri të ditur se tashmë ka kaluar këtë hallkë duke përzgjedhur kompaninë e cila do të ketë në objekt të saj hartimin e studimit të fizibilitetit për krijimin e burimeve të reja të gjenerimit të energjise së rinovueshme.
Korporata Shqiptare e Investimeve ka bërë të ditur se synon që këto projekte ti zhvillojë në dy rajone, konkretisht në Shkodër tek Aerodromi Fushor në një sipërfaqe 31.8 hektarë dhe një kapacitet të instaluar të impiantit 27 MWp si dhe tek Fusha e Uljes në Sarandë në një sipërfaqe 8.6 hektarë dhe një kapacitet 7MWp.
Këto dy vende, sipas Korporatës, kanë dalë nga një analizë më e hershme parafizibiliteti e zhvilluar në korrik 2022 në 11 lokacione nën pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Nga këto 11 lokacione, dy sipërfaqet deklaruara tashmë ishin vendet me potencialin më të lartë energjetik dhe me titull të pastër pronësie.
Konkretisht Korporata Shqiptare e Investimeve duket se do të kërkojë zhvillimin e projekteve në partneritet me kompani private të paktën nëse e referohemi asaj që thuhet në dokumente.
“AIC dëshiron të kërkojë një investitor privat me përvojë zhvillimi në prodhimin e energjisë së rinovueshme për të zhvilluar së bashku këto dy zona si ferma diellore fotovoltaike.
AIC po kërkon të zhvillojë studimin e fizibilitetit për Projektin e Parqeve Diellore dhe të paraqesë kërkesën për të marrë miratimin paraprak për të drejtën e ndërtimit të termocentraleve diellore. Pas miratimit parësor nga MIE, AIC synon të hapë një proces për “Kërkesë për Shprehje Interesi” (EOI) për zhvilluesit dhe investitorët e mundshëm privatë që do të jenë bashkëzhvillues në këtë projekt” thuhet në dokumente.
Korporata, “shpenzo dhe në vend numëro”
Korporata e Investimeve Shqiptare një ent buxhetor i krijuar nga qeveria shqiptare në dhjetor 2019 me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik kaloi jo pak diskutime në publik për rolin dhe përfitimet. Në realitet ky ent nuk ka hedhur ndonjë hap investimi qysh nga krijimi përveç shpenzimeve për paga dhe aspektet operative.
Duke pasur parasysh këtë situatë qeveria nxori për konsultim në mars të këtij viti një draftligj që synonte të ndryshonte një sërë aspektesh në mënyrën sesi funksionon ky ent.
Relacioni që e shoqëronte hidhte dritë mbi shpenzimet dhe mungesën e një programi zhvillimi ekonomik.
“Nga krijimi deri më sot shoqëria “Korporata e Investimeve Shqiptare” sha Tiranë nuk realizon të ardhura. Shpenzimet e kryera janë përballuar nga fonde të akorduara nga Buxheti i Shtetit.
Shoqërisë i janë akorduar nga Buxheti i Shtetit 2,198,000,000 lekë, të cilat janë përdorur për paga, auditues ligjor dhe studime e projektime.
Korporata nuk ka paraqitur një program të zhvillimi ekonomik efektiv (pozitiv), ku të parashikohen të ardhura nga projekte konkrete apo studime, mbi të cilën parashikohet vazhdimësia e shoqërisë” thuhej në relacion./ N. Maho
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor