Vendosni fjalën kyçe....

PPP e laboratorit del jashtë parashikimeve, financimet në rritje vit pas viti


Në vitin e tretë të zbatimit, kontrata koncesionare (PPP) e shërbimeve laboratorike po rezulton e paparashikueshme në aspektin e financimit buxhetor.

Plani vjetor u rishikua në mes të vitit 2022, me rritje 20% nga plani fillestar, por në tre vitet e ardhshme, financimet do të rriten më tej.

Sipas projektbuxhetit afatmesëm 2023-2025 që Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar në Ministrinë e Financave, parashikohet që financimi i koncesionit të laboratorit të arrijë në 1,75 miliardë lekë në vitin 2024, nga rreth 1,7 miliardë lekë që është aktualisht.

Në vitin 2025, financimi pritet të arrijë në një vlerë 1,85 miliardë lekë, ose rreth 10% më shumë se financimi i pritshëm i këtij viti.

Ministria e Shëndetësisë e argumenton rritjen e financimeve për koncesionarin me rritjen e numrit të analizave dhe rritjes së kostos për njësi të tyre.

Në vitin 2024 pritet që koncesioni i laboratorit të kryejë rreth 4,7 milionë analizat, nga 4.65 milionë analiza që priten të kryhen këtë vit.

Numri i ekzaminimeve laboratorike pritet të jetë në tendencë rritje edhe për vitin 2025 me 4.75 milionë njësi. Kosto mesatare për një ekzaminim pritet të arrijë 389 lekë në vitin 2025, nga 365 lekë aktualisht, me një rritje 6%.

Parashikimet me rritje ekzaminimeve nga Ministria e Shëndetësisë po vjen në një kohë që numri i faktik i tyre ka qenë më rënie vitet e fundit sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm.

Për vitin 2022 në spitalet universitare në të cilat është i përqendruar shërbimi i koncesionarit numri i ekzaminimeve laboratorike ishte 2,5 milionë, nga 2,3 milionë që ishin në vitin 2021 me një rënie 5%. Rënia ishte edhe më fortë në spitalet rajonale.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos me 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.

Për periudhën 2020-2022, kompania ka marrë gjithsej pagesa nga buxheti i shtetit prej 2.74 miliardë lekë, nga të cilat 1.1 miliardë lekë në 2021 dhe 1.6 miliardë lekë në 2022, ndërsa këtë vit financimet pritet të arrijnë në 1,7 miliardë lekë dhe me 2025 ne 1.85 miliardë lekë./ B. Hoxha.

Burimi: Ministria e Financave (buxheti afatmesëm); *parashikim


VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor