Vendosni fjalën kyçe....

Projekti i pazakontë i gazetarit, kafe online për kolegët


Gazetari Renaldo Salianji ka prezantuar një projekt të pazakontë në të cilin ai fton për kafe online e diskutim kolegët.

Në një shënim në Facebook ai rrëfen idenë e projektit të ri mediatik të titulluar kafe.al, ku do mblidhen gazetarë të rinj në moshë e ide, larg klisheve të gazetarisë online të deritanishme e luftës për klikime.

Salinji tregon se ideja pas faqes kafe.al është e lidhur me kultin e pirjes së kafes në vend ku kafja shpeshherë shkruan ai, zëvendëson institucionet shtetërore apo edhe punën e mirëfilltë gazetareske.

Salianji shkruan më tej se në këtë hapësirë të re mediatike nuk do ketë kufi me Shqipërisë e Kosovës e ku trajtohen gëzimet e shqetësimet në dy anët e kufirit.

Më poshtë është shënimi i plotë i Salianjit për projektin e pazakontë.

“Nga sot merr jetë një projekt i ri në median online. Quhet Kafe.al dhe është projekti për të cilin kam punuar me shumë dashuri dhe shumë kafe disa muaj me radhë për të ardhur në këtë ditë.

Ky nuk është portali i radhës në tërësinë e portaleve dhe medive online në hapësirën e mbingarkuar shqipfolëse, dhe shumë shpejt do të më jepni të drejtë për këtë që po them.

Kafe.al është një platformë online e ndërtuar si forum diskutimi i një grupi gazetarësh të rinj në moshë dhe ide, larg klisheve të vjetra të gazetarisë online dhe luftës për klikime. Në kafe.al do të shihni më shumë idetë e profesionistëve të rinj, politikanëve të rinj dhe ekspertëve të rinj të çdo fushe. Këtu nuk do të shihni të njëjtat fytyra që keni parë këto 30 vite në televizion, gazeta dhe media online. Kushdo që ka një ide, që do të ndihet i dëgjuar, por për mediat e vjetra (lexo: vjetëruara) është tepër i ri, në kafe.al do ta ketë gjithmone derën të hapur. Na shkruani!

Pse kafe.al?

Sepse kafja në vendin tonë ka zëvendësuar institucionin. Çdo hall në këtë vend zgjidhet në kafe. Edhe kur takon një zyrtar të shtetit për punë, të fton në kafe dhe jo në zyrë. Kjo është një ironi me mënyrën se si funksionon shoqëria sot. Në kafe.al, nuk do të gjeni muhabete kafeje, por do të denoncojmë muhabetet e kafes, që e kanë çuar këtë shoqëri në situatën që është sot.

Mediat janë kthyer shpesh në kafe dhe kafet në media. Në media ka më shumë muhabete kafeje dhe në kafe diskutohen më shumë “lajme” dhe halle të qytetarëve, që sigurisht në mediat e vjetra nuk përbëjnë lajm, se nuk kanë klikime.

Kafe.al edhe si “kafja” e “atij mikut që punon në administratë” dhe do “kafen” e vet për të zgjidhur çdo hall. Të gjithë që duan të denoncojnë “kafen e mikut” do të kenë një dritare të veçantë në kafe.al, anonim ose me emër, për të denoncuar çdo “kafe” që ju kërkohet për të zgjidhur një hall apo për të marrë një shërbim.

Kafe edhe si vendi ku sot të rinjtë kalojnë më shumë kohën dhe diskutojnë hallet e tyre, pa një hapësirë mediatike ku mund të degjohen dhe kuptohen nga shoqëria. Prandaj kafe.al do të jetë edhe media e të rinjve, ku mund të diskutojnë për problemet e tyre lirisht dhe të kuptojnë e mbështesin njëri-tjetrin.

Kafe.al do të jetë edhe një hapësirë dedikuar kulturës, që për mediat e “mëdha” nuk shet, artit, që zë fundin e edicioneve, letërsisë, muzikës së mirë, teatrit, operas etj.

Po ashtu në kafe.al, do të sjellim më afër Kosovën, gëzimet dhe shqetësimet, lajmet dhe historitë e vëllezërve dhe motrave matanë kufirit, që media i trajton si të huaja, në kafe.al do të jenë tonat. Mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ketë kufi në kafe.al!

Kafe edhe si ajo kafja e munguar që na rëndon në ndërgjegjie, e që gjithmonë i premtojmë njëri-tjetrit “bëhemi për kafe ndonjë ditë” kur takohemi në rrugë, por angazhimet nuk na lënë ta pimë. Në kafe.al do të shihemi më shpesh bashkë.

Dhe në fund, ata që më njohin e kuptojnë sensin e ironisë që në emrin e këtij ëebi, ironi që nuk do ti mungojë kafe.al, në zymtësinë dhe vrazhdësinë e mediave online.

Rrugë të mbarë kafe.al, dhe na shkoftë mbarë!”