Vendosni fjalën kyçe....

Beteja për shuarjen e zjarrit në Greqi,  4 qarqe ende shumë të rrezikuara


Greqia prej ditësh vijon betejën për shuarjen e flakëve kryesisht në zonën e Evros. Mediat greke shkruajnë se forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e vatrave aktive.

Siç u bë e ditur nga autoritetet zjarrfikëse, zjarret shfaqin një pamje relativisht më të përmirësuar se ditët e mëparshme, gjë që megjithatë nuk i bën të vetëkënaqur forcat e Zjarrfikësve dhe të Mbrojtjes Civile pasi intensiteti i erërave pritet të rritet.

Në zonën më të gjerë operojnë 582 zjarrfikës me 16 grupe njësish këmbësore dhe 122 mjete, ndërsa mbështetje ajrore ofrojnë 8 avionë dhe 2 helikopterë.

Zjarri që ra mbrëmë në zonën e Delfinit të Kios tregon një pamje më të mirë. Sipas Zjarrfikësve, zjarri ka rënë dje në orën 21:20 dhe në vendngjarje po punojnë 50 zjarrfikës me 2 grupe këmbësorësh dhe 19 automjete.

Gjithashtu, një rrezik shumë i lartë zjarri parashikohet këtë të shtunë, për katër Qarqe të vendit, sipas Hartës së Parashikimit të Rrezikut nga Zjarri, të lëshuar nga Sekretaria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Krizave Klimatike dhe Civile.

Rajonet e rrezikuara janë, Atika, rajoni i Greqisë Qendrore, rajoni i Maqedonisë Lindore dhe Thrakisë dhe rajoni i Egjeut të Veriut.