Europol ka zhvilluar një operacion në bashkëpunim me policinë e Brazilit, Portugalisë, Francës, Serbisë, Kroacisë, Polonisë, Sllovenisë dhe Spanjës ka bërë të mundur ‘zbërthimin’ e një karteli ballkanik që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Evropës.
Si pasojë e operacionit të zhvilluar më 24 gusht, por të bërë publik këtë të premte nga Europol, u arrestuan 6 persona, si dhe u sekuestruan 2.7 ton kokainë. Droga ndodhej në disa pako, të vendosura në brendësi të çantave sportive.
Gjithashtu Europol ka kryer kontroll në 15 banesa, ku janë konfiskuar 550 mijë euro, ora dhe automjete luksoze, si dhe janë bllokuar disa llogari bankare.
Për zbulimin e kartelit të drogës, hetimet nisën në Janar të vitit 2022, teksa në Ballkan mbërritën dërgesa shumëtoneshe të kokainës nga Brazili në BE.
Ishte policia kriminale në Beograd që fillimisht identifikoi një shtetas serb si një nga organizatorët e rrjetit kriminal. Mbajtja nën vëzhgim e tij dhe kontakteve që ai kishte me bashkëpunëtorë të tjerë bëri të mundur kapjen e anijes me 2.7 ton kokainë. Droga do të nisej nga Brazili me destinacion Afrikën, e që më pas do të sillej në Evropë.
Inteligjenca operative vuri në dukje se kapitenët e kartelit, me kombësi ukrainase dhe çeke udhëtuan disa herë në Capo Verde ose vende të tjera në Afrikën Perëndimore për të përgatitur anijet e tyre për trafikimin e drogës.