Kreu i Republikës Çeçene të Rusisë, Ramzan Kadyrov, ka paralajmëruar SHBA-në se do përballen me ndëshkim nëse nuk heqin sanksionet e vendosura ndaj nënës së tij.
Uashingtoni vendosi kufizime financiare dhe një ndalim udhëtimi për Aymani Kadyrova dhe disa individë dhe subjekte të tjera ruse më 24 gusht, ditën kur Ukraina festoi Ditën e Pavarësisë.
Nëna e Kadyrov u sanksionua sepse ajo është drejtuese e ‘Fondacionit Akhmat Kadyrov’, për të cilin SHBA pretendon se ishte i përfshirë në ‘riedukimin’ e fëmijëve ukrainas të evakuuar nga Rusia nga zona e luftës.
Në një postim në Telegram të enjten, Kadyrov, i cili është vetë në listën e zezë nga SHBA dhe BE, tha se kufizimet kundër ‘nënës sime të dashur’ ishin tronditëse edhe për të, pavarësisht faktit se ai është mësuar me ‘sanksionet e palogjikshme’ në vendimet e SHBA-së dhe Perëndimit.
Aymani Kadyrova u sanksionua vetëm sepse ajo është nëna e tij, pohoi Kadyrov, dhe për shkak të kësaj, ‘vendimi amerikan mund të shihet vetëm si një shpërfillje e qëllimshme dhe cinike për të gjitha normat etike’.
Megjithatë, ai këmbënguli se sanksionet janë ‘pa dhimbje’ për Rusinë dhe janë vendosur vetëm nga Uashingtoni ‘për të ngushëlluar veten’.
“Ne do vijojmë të thyejmë kurrizin e bandave NATO-Ukrainë. Nëse është e nevojshme, ne mund të arrijmë deri në Elba, siç bëri Visaitov në kohën e tij gjatë luftës kundër nazistëve,” tha Kadyrov.
Ai i referohej Movlid Visaitov, një kolonel çeçen i Ushtrisë së Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili ishte komandanti i parë sovjetik që shtrëngoi duart me amerikanët në takimin historik në lumin Elba në Gjermani më 25 prill 1945.