Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria ukrainase thotë se rrëzoi 22 dronë të Rusisë që shënjestruan Odesën


Sistemet për mbrojtje ajrore të Ukrainës i kanë rrëzuar 22 prej 25 dronëve iranianë Shahed, të cilët i kanë nisur forcat ushtarake ruse në rajonin Odesa, në orët e para të 3 shtatorit, ka thënë forca ajrore ukrainase.

Të paktën dy civilë janë plagosur në “një seri sulmesh” që e kanë goditur infrastrukturën e lumit Danub, kanë thënë autoritetet ukrainase, duke shtuar se sulmet kanë zgjatur për më shumë se tre orë e gjysmë, përcjell REL.

Danubi është kthyer në rrugën kyçe për Ukrainën për transportim të grurit prej skadimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që e ka mundësuar transportimin e sigurt të mallit përmes Detit të Zi.

Prej atëherë, Rusia i ka shtuar sulmet në rajonet jugore ukrainase Odesa dhe Mikollaiv, zona shumë të rëndësishme për transportim të grurit.

Nuk dihet saktë se cili port është goditur, mirëpo ushtria ukrainase ka thënë se e ka shuar shpejt zjarrin e shkaktuar nga sulmet.

Moska nuk i ka komentuar ende këto deklarata të Ukrainës.