Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Francë Behar Bajri


Autoritetet franceze kanë arrestuar Behar Bajrin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria për operacionin “Metamorfoza”.

Bajri u arrestua me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Në dosjen hetimore të operacionit “Metamorfoza” u fundos grupi kriminal, ku mes tyre ishte edhe Behar Bajri, i cili kishte planifikuar që të vriste Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin.

Gjithashtu nga përgjimet rezulton se ai komunikonte me biznesmenin tashmë të arrestuar nga qelia e paraburgimit “Jordan Misja” në Tiranë përmes SkyECC komunikonte me Pëllumb Gjokën dhe i kërkonte që të dalë sa më shpejt nga paraburgimi, pas arrestimit në sajë të operacionit OAZ, shtatorin e vitit 2018. Madje është gati të ofrojë shuma të mëdha parash në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë.

Bajri, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshme të botës së krimit në Shqipëri, akuzohet se ka vrarë në gjumë partneren e tij 15-vjeçare, Fabiola Bajri dhe shtetasin Arben Tuzi, ngjarje këto të vitit 2002.

Njoftimi i policisë:

Operacioni, falë shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë franceze.

Kapet në Francë, me qëllim ekstradimin, njëri prej shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar B. B., 43 vjeç.

Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Parisin, vijojnë punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit.

Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe një herë bashkëpunimin serioz, profesional dhe të besueshëm mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të gjurmuar, lokalizuar, kapur dhe çuar para drejtësisë, shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.