Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.
Seanca e jashtëzakonshme e 4 shtatorit u thirr nga partitë opozitare.
Viti i ri shkollor në Kosovë nisi më 1 shtator. Por, për dallim nga 15 vjetët e fundit, këtë vit përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore u takon prindërve, të cilët do të rimbursohen përmes platformës qeveritare, E-Kosova.
Pavarësisht se debati dështoi të mbahej, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u dha fjalën përfaqësuesve të partive, të pranishme në Kuvend.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se me subvencionim të teksteve shkollore, MASHTI ka bërë shkelje ligjore.
Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka lënë nxënësit pa tekste mësimore, përderisa deputetët e partisë në pushtet po i ikin ballafaqimit në Kuvend.
“A mund të na tregojë ministrja [e Arsimit, Arbërie Nagavci] se a ka interesa personale, financiare apo të tjera që prej 4.8 milionë eurosh, koston e ka bërë 12.5 milionë euro për t’ua dhënë atyre që i kritikonte, kinse shtëpive botuese”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, ish-ministrja e Arsimit, aktualisht deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami pyeti se “prej kujt po ik Qeveria”.
Ministria e Arsimit, sipas saj, ka dështuar të bëjë “pazar” me shtëpitë botuese për furnizim me tekste shkollore, prandaj, sipas Bajramit është krijuar kjo situatë. Ajo tha se viti shkollor mund të përfundojë dhe disa nxënës mund të mos i kenë të gjitha tekstet shkollore.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, akuzoi ekzekutivin për mungesë guximi “për t’u ballafaquar me të vërtetën”, pasi sipas tij, tekstet nuk janë në shkolla, por në librari.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 24 gusht ka thënë se institucioni që ajo drejton, ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Por, një gjë e tillë është mohuar nga përfaqësuesit e disa botuesve.
Subvencionimi i teksteve shkollore
MASHTI ka ndarë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar.
Për subvencionim të teksteve dhe materialeve tjera të nevojshme, Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka ndarë rreth 13 milionë euro.
Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën në Kosovë llogaritet të jetë 213.000.
KMLDJ kërkon që rasti të sqarohet deri në fund
Për situatën e krijuar me furnizimin me tekste shkollore ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ). Përmes një komunikate për media, ky institucion ka kërkuar që rasti të sqarohet deri në fund dhe mos të mbetet vetëm si përplasje midis pushteti dhe opozitës.
“MASHTI duhet të sqarojë se përmes kësaj forme të kompensimit, a ka arritur të kursejë mjete nga buxheti i Kosovës”, u tha në komunikatë.
KMLDNJ tha se nëse del që kjo formë e pajisjeve me tekste shkollore është më e kushtueshme sesa forma paraprake, atëherë duhet të ketë një hetim dhe të përcaktohet përgjegjësia në të gjitha nivelet./REL.