Kreu i Rithemelimit të PD-së Sali Berisha tha se i është përgjigjur pozitivisht thirrje së Gazment Bardhit për bashkimin e partisë dhe bashkërendimin e aksionit opozitar.
Në një deklaratë në oborrin e Kuvendit ai e quajti hap shumë pozitiv ftesën ndërsa tha se çdo gjë tjetër do merret vesh në kohën e duhur.
“Përgjigjja është po. Do marrim pjesë. Ne shkojmë aty dhe do marrim pjesë. E konsiderojmë hap pozitiv dhe do marrim pjesë. Do t’i mësoni që të gjitha në kohën e duhur, por ne i përgjigjemi pozitivisht ftesës”, deklaroi Berisha.
Edhe jashtë Kuvendit ai përsëriti akuzat ndaj parlamentit duke theksuar se ai është ngritur mbi krimin e drogën dhe parlamenti i vetëm ku krimi, vjedhja e drogashndërrohen në vota e votat në krim.
“Siç theksova dhe në parlament, theksoj përsëri se ky parlament është i ngritur mbi krimin, drogën. Është parlamenti i vetëm në Europë në të cilin vjedhja, krimi, droga shndërrohet në votë dhe vota në krim. Është institucion i fatkeqësisë kombëtare, i cili të vetmin vendim që ka marrë ka dyfishuar rrogat e tij. Institucion i cili ka kaluar me dhjetëra vendime të lobuara nga krimi dhe grupet kriminale. Institucion i cili ka bllokuar të gjitha nismat me rëndësi kombëtare. Me qëndrimet e tij jo që nuk i shërben integrimit, por i shërben dezintegrimit të Shqipërisë në BE dhe e lë në vend numëro. Është institucion i cili siç e dëgjuat përpiqet të përligjë gjithçka antikushtetuese, antiligjore të qeverisë dhe të mbulojë krimet e saj”, shtoi Berisha.