Në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, e krijuar në nder të Nënë Terezës në Shqipëri janë organizuar një sërë veprimtarish.
Në Presidencë është hapur një ekspozitë ku morën pjesë presidenti Begaj e presidentja e Kosovës Osmani. Po kështu ka pasur një sërë mesazhesh në nder të kësaj dite.
Presidenti Meta shkruan se Nënë Tereza është simboli i nënës shqiptare e do jetë përherë frymëzim.
“Në këtë ditë feste për kombin shqiptar, botën katolike dhe njerëzimin, Shenjtërimin e Nënë Terezës, nderojmë me respekt veprën e Saj të ndritur dhe të paharruar, shembullin e jashtëzakonshëm të humanizmit dhe dashurisë në veprim. Shën Nënë Tereza, simboli i nënës shqiptare, do të jetë përherë frymëzim “për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” – shkruan Meta.
Kreu i PD-së Basha shkruan se shqiptarët janë fatlmuë që gëzojnë shenjtërimin e Nënë Terezës duke u krenuar e movituar më shumë për të veperuar me dhembshuri e përkushtim.
“Jemi fatlumë, që gëzojmë sot shenjtërimin e Nënë Terezës, simbolit shqiptar të dashurisë për Zotin, e cila na krenon dhe motivon të veprojmë me dhembshuri në jetët tona, me përkushtim të madh veçanërisht për të varfërin, të pamundurin, të nëpërkëmburin. Bekimi i Zotit dhe Shën Nënë Terezës qoftë me shqiptarët dhe familjet e tyre kudo ku janë”, shkruan Basha.
Ambasada amerikane shkruan se Nënë Tereza i kujton botës vlerën e bamirësisë, vullnetarizmit e dhembshurisë për tjetrin duke ia kushtuar jetën njerëzve në nevojë.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, bota kremton jetën dhe punën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu), misionares dhe murgeshës së famshme shqiptare, fitueses së çmimit Nobel për Paqe, shenjtores. Shqipëria sot kremton gjithashtu Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Kjo ditë na kujton vlerën e bamirësisë, vullnetarizmit dhe dhembshurisë për tjetrin. Është kujtesë për ndikimin e pabesueshëm që ka dashuria dhe kujdesi për të tjerët, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, e cila ia kushtoi jetën e saj njerëzve në nevojë.” – shkruhet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Misionarja shqiptare Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup, në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.
Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfrit dhe të pastrehët. Puna e Nënë Terezës është njohur dhe vlerësuar në mbarë botën dhe ajo ka marrë një sërë çmimesh dhe vlerësimesh, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqen.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.