Vendosni fjalën kyçe....

Basha shigjeton Berishën: Rrugës sonë përpiqet t’i mbivendoset axhenda e atyre që për interesa personale shkaktuan krizën


Kreu i PD-së Basha ka mbledhur Kolegjin e Kryetarëve. Gjatë fjalës së tij ai ka theksuar se është koha të lihet pas rrëmuja e të ecet para ndërsa shtoi se pjesëmarrja e madhe në Kuvendin Kombëtar tregon se është rigjetur besimi në strukturat drejtuese.

Basha i cilësoi historike vendimet e marra gjatë kuvendit duke ripohuar qëndrimin se PD ekziston për t’i shërbyer interesit kombëtar e qyterarëve e jo vetes.

Kreu i PD-së ka shigjetuar sërish grupin e Berishës duke e quajtur atë axhendë e një grupi që për interesa personale shkaktuan krizën e për interesat e tyre në raport me drejtësunë e pasuritë e paligjshme kanë sakrifikuar demokratët.

“Mirënjohje për të gjithë ju për të mundësuar kuorumin e PD, por dhe për pjesëmarrje që dëshmon për rigjetje të besimit në strukturat drejtuese të PD. Është dhe një barometër i shpresave dhe pritshmërisë e vendosshmërisë së demokratëve për të lënë pas 2 vite tollovi dhe për të ecur para. Morëm vendime domethënëse dhe historike do thoja në Kuvendin Kombëtar. PD nuk ekziston për t’i shërbyer vetes së saj, por interesit kombëtar. Në 2 shtator vendimet e Kuvendit janë të qarta, u morën vendime që të ndryshojmë e mos mbetemi në këtë hulli politike, ku axhendën e bëjnë interesat e ngushta të një grupi që politikën e shohin si instrument përfitimi, pasurimi dhe imuniteti. Rrugës sonë të qartë përpiqet t’i mbivendoset edhe një herë axhenda e atyre që për interesat e tyre personale shkaktuan krizën këto dy vite, dhe që për llogari të tyre personale në raport me drejtësinë, pasuritë e paligjshme, harrojnë që as PD dhe as demokratët nuk i kanë asnjë borxh.” – tha Basha.