Vendosni fjalën kyçe....

Mbahet ekspozita përkujtimore mbi veprimtarinë e Nënë Terezës, të pranishëm Begaj dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani


“Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni dhe pagje mbi gjithë botën.”

Me rastin e 26-vjetorit të kalimit në amshim të Shenjtes Nënë Terezë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) iu bashkua ceremonisë përkujtimore të organizuar prej institucionit të Presidentit të Republikës të Shqipërisë, duke paraqitur një ekspozitë mbi veprimtarinë e bamirëses shqiptare.

Ky aktivitet u zhvillua në mjediset e Presidencës, ku qenë të pranishëm kreu i shtetit, z. Bajram Begaj, homologia e tij nga Kosova, znj. Vjosa Osmani, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, drejtuesi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ISHTKSH), Z. Skënder Asani dhe zv. Kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës (ASHAK), Z. Ajet Leci.

Fjala hapësë u mbajt nga Bido, cili e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terëzës, duke sjellë në vëmendje edhe tri dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga DPA-ja gjatë procesit të përpunimit të fondit të ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë.

“Është një figurë shumëdimesionale. Në këtë ekspozitë, ku kemi kontribuar me disa dokumente dhe foto, rrëfehet një panoramë e jetës së saj. Nënë Tereza ishte individ përbashkues. Është evidentuese e bashkimit tonë kombëtar. Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethenës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale”, tha Bido.

Begaj në fjalën e tij, tha se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që solli Nënë Tereza.

“Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarve, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’ju dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat”, u shpreh presidenti Begaj.

Ndërsa presidentja  e Kosovës Vjosa Osmani, vlerësoi ekspozitën si një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe të historisë së njerëzimit.

“Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, tha ndër të tjera Osmani.

Ekspozita e përgatitur me materiale dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) shpalosi të dhëna me rëndësi lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e humanistes shqiptare, Nënë Terezës. Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë po ashtu informacione mbi vizitën e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989, dorëshkrime që dëshmojnë atdhedashurinë e saj për tokën amë, si edhe vendime të Këshillit të Ministrave për nderimin dhe përjetësimin e figurës së bamirëses së përbotshme.

Ndër të tjera, ekspozita paraqiti:

Dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor për dhënie dekorate (urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të I-rë), Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, me motivacionin “Personalitet i shquar botëror”;

Vendimin për shtypjen e monedhave përkujtimore (prej ari) në nderim të figurës së Nënë Terezës;

Letrën e Nënë Terezës (dt. 16.8.1989) drejtuar Presidentit Alia, të cilit i kërkon që misionaret e urdhërit të saj të vijnë të ndihmojnë në Shqipëri, si edhe përgjigjja pozitive e Presidentit Alia më dt. 2.9.1989;

Transkripitimin e takimit të mbajtur në Presidencë midis shokut Ramiz Alia dhe bamirëses Nënë Tereza. Pas takimit, Nëna Tereza i drejtohet sërish Presidentit Alia, duke i kërkuar sjelljen e motrave të urdhërit, të cilat janë në pritje të lajmit të saj në Romë.

Fjalimin e dt. 13.9.1997 i Kryetarit të Këshillit të Ministrave pas lajmit të ndarjes nga jeta të bamirëses shqiptare, Nënë Tereza;

Telegramin e dt. 25.4.1990 dërguar nga Kryetarja e Frontit Demokratik të Shqipërisë Nexhmije Hoxha, Nënë Terezës në Indi, ku i uron “pleqëri të bardhë”.

Mbajtja e kësaj ekspozite përkon edhe me 7-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik.