Pas zjarreve seri duket se Greqia nuk po gjen qetësi ende. Një stuhi e fortë ka goditur të hënën Greqinë perëndimore dhe qendrore, duke bërë që shërbimet e urgjencës të marrin qindra thirrje për ndihmë.
Shtëpi dhe rrugë kanë mbetur të përmbytura ndërsa një person ka humbur jetën pas shembjes së një muri si pasojë e motit të keq.
Sipas agjencisë së lajmeve të Athinës, muri u përmbys teksa bariu po tentonte që të shpëtonte kafshët.
Një person është shpallur në kërkim në Volos pasi automjeti i tij u mor nga rrjedha e ujit.
“Djali i tij doli (nga makina), por babain e mori uji dhe tashmë po zhvillohet një operacion kërkimi.”
Përmbytjet më të mëdha vendi i ka regjistruar në vitin 2017 kur 25 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të pastrehë.