Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar librin me denoncimet e opozitës për zgjedhjet e 14 majit.
Duke e cilësuar si ‘librin e zi’, Berisha tha se strategjia dhe parimi i Ramës është ‘hëngshi kokat e njëri-tjetrit’.
Berisha thotë se sot Shqipëria karakterizohet nga fenomene, dukuri nga më të zezat në historinë e saj.
Mes të tjerash Berisha, ka ngritur akuza se biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza” për lidhje me krimin, donte të emëronte kreun e Prokurorisë Anti-Korrupsion.
“I nderuar z. Meta, të nderuar z. Bylykbashi, Noka, Boçi, zonja Albana Vokshi, të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj. Sot ne jemi këtu në një akt të veçantë në 32 vite. Paraqesim para publikut shqiptar dhe atij ndërkombëtar, librin e zi, kushtuar farsës elektorale të 14 maji 2023. Pse libër i zi? Shqipëria sot karakterizohet nga fenomene, dukuri nga më të zezat në historinë e saj. E para dhe më e zeza është braktisja masive e këtij vendi. Mjafton të kujtojmë këtu se këtë verë vendi pati dyndjen, ndofta më të madhe turistike nga jashtë, por 60% e shqiptarëve, sipas statistikave më të besueshme nuk ishin në gjendje të pushonin 7 ditë gjatë kësaj vere. E lidh këtë sepse një e zezë tjetër e madhe që i detyron shqiptarët të largohen është skamja, varfëria e frikshme. Shqipëria një vend në të cilin polarizimi rritet me shpejtësinë më të madhe se kudo dhe dy herë më të madhe se kudo. Shqipëria të themi të vërtetën, nëse lexon arkivën e krimit të këtij vendi, për tragjedinë më të madhe, noton mbi krimin. Siguria e qytetarëve shqiptarë, e pronave, e veprimtarisë, jetës së tyre dhe fëmijëve të tyre, sot më shumë se kurrë varet dhe kontrollohet nga krimi.
Çfarë tregojnë? Ato tregojnë se strategjia e Ramës ‘hëngshin kokën e njëri-tjetrit’ është bërë strategji e shtetit. Pëllumb Gjoka i thotë Behar Bajrit; pyete drejtorin se pse më arrestoi mua djalin e xhaxhait? Kush e nxiti, e kishte fjalën për grupet. Pyete se kush e nxiti. Ai tha; do ta pyes, do ta fus në borxh të rëndë. Po nëse kthehemi te direktiva e atij që është krimministër që thotë; ‘kokat t’i hanë njëri-tjetrin’, ai po krijon mundësi që të hanë njëri-tjetrin. Pëllumb Gjoka ishte mik për kokë i Edi Ramës. Ai po emëronte kreun e SPAK. Kondili, që dërgoi dosjen e Bajrave në Shkodër bashkë me një tjetër, shpalli se këta nuk janë organizatë kriminale, sa mori Kondili e dinë kazinotë e Pëllumb Gjokës. Kondili, të cilit bodyguardi i Pëllumb Gjokës i rrinte mbrapa në kazino për ti dhënë topat me euro, do na dilte nga Rama edhe kryetar i SPAK. Sa mori Kondili? Sa donin kazinotë e Pëllumb Gjokës.”, tha Berisha.