Vendosni fjalën kyçe....

Dule: Ndalimi i Belerit rrëmbim politik, peng i kryeministrit Rama


Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule deklaroi mbrëmjen e sotme se Fredi Beleri është peng politik i kryeministrit Rama, i cili sipas tij improvizon ligjet.

Ai e quajti arrestimin e Belerit tre ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit ‘rrëmbim politik’ dhe se mbahet në qeli me inskenimin, dirigjimin e mbikëqyrjen e kreut të qeverisë

“I afrohemi 4 muaj që nga rrëmbimi dhe jo ndalim. Është rrëmbim politik i një personi. Me distancën dhe qetësinë e kohës ju them se Beleri është pengu politik i kryeministrit Ramës. U rrëmbye dhe mbahet me inskenimin, dirigjimin dhe monitorimin e Ramës, me qëllim ta privojë nga drejtimi i bashkisë së Himarës. Rama është në krye të një vendi dhe nuk ka përgjegjshmërinë minimale që të jetë i informuar, por improvizon. Beleri, kryetari i zgjedhur nuk është se nuk ka dëshirë të kryejë betimin, por pengohet e drejta themelore e votës. Në çdo shtet të së drejtës edhe i burgosuri që ka marrë dënimin përfundimtar, kur ka zgjedhje, ose ngrihet qendra e votimit në burg, ose shoqërohet me forcat policore.” – tha Dule në emisionin ‘Open’ në News24.

Kreu i PBDNJ-së shtoi më tej se moslejimi i Belerit që të betohet si kryebashkiak i Himarës është shkelje flagrante e ligjit.

“Është shkelje flagrante që Belerit nuk i lejohet betimi. Që nga momenti që nuk ka një ligj që e ndalon, është një e drejtë e plotë. Beleri duhet që të marrë betimin. Ceremonia e betimit organizohet nga shteti dhe jo nga Beleri. Mund të zhvillohet edhe në Prefekturë. Beleri është në të drejtën absolute për të marrë betimin. Në mënyrë të përsëritur, opozita i ka kërkuar mazhorancës, që t’i jepte mundësia kryetarit të zgjedhur të bashkisë që të bëjë betimin,. Në mënyrë fanatike, këshilltarët e PS-së refuzojnë që të bëjnë një gjë krejt normale si përfaqësues të komunitetit të tyre. Nuk e bëjnë por e refuzojnë në mënyrë fanatike.” – tha Dule.