Alban Bengasi është vënë në pranga ditën e sotme në aeroportin e Rinasit, pasi ishte i shpallur në kërkim mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.
Policia bën me dije se ai është kapur në hyrje të aeroportit të Rinasit gjatë përpunimit të dokumentacionit.
Bengasi, është përmendur në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumanit, ku thuhet se i kishte ofruar atij shumën prej 120 mijë eurosh për të vrarë ish-bashkëshorten e tij, ndërsa më heret ishte porositur gjymtimi i saj.
Bengasi dyshonte se ish-gruaja e tij e kishte tradhëtuar me shokun e ngushtë, dhe për këtë kishte nisur një seri hakmarrjesh ndaj saj, me qëllimin final për ta eleminuar.
Ai përdorte njohjen me bosët e krimit, për të realizuar qëllimin e tij, ndërkohë që nga Dumani përshkruhet si një person që pinte shumë kokainë.
Materialet procedurale në lidhje me këtë rast i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.