Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli hap ambasadën në shtetin arab


Izraeli ka krijuar një tjetër shtyllë diplomatike në rajonin e Gjirit Persik, duke hapur një ambasadë të re në Bahrein tre vjet pas normalizimit të marrëdhënieve me mbretërinë e vogël arabe.

Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen mori pjesë në ceremoni për përurimin e ambasadës së vendit në Manama. Ai dhe homologu i tij nga Bahreini, Abdullatif Al Zayani, ranë dakord të punojnë së bashku në nxitjen e tregtisë, udhëtimit dhe investimeve midis vendeve të tyre.

Hapja e ambasadës ‘nënkupton zotimin tonë të përbashkët për sigurinë dhe prosperitetin për të gjithë popujt e rajonit tonë’, tha Al Zayani gjatë ceremonisë. Izraeli dhe Bahreini vendosën marrëdhënie diplomatike në shtator 2020 të ndërmjetësuara nga SHBA, të cilat u mbështetën nga presidenti i atëhershëm Donald Trump.

Bahreini, baza vendase e Flotës së Pestë të Marinës së SHBA-së, ndoqi Emiratet e Bashkuara Arabe në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Sudani dhe Maroku më vonë iu bashkuan Marrëveshjes së Abrahamit.

Tregtia midis Izraelit dhe Bahreinit, e cila u dyfishua vitin e kaluar, do zgjerohet më tej ndërsa dy vendet thellojnë bashkëpunimin e tyre, tha Cohen.

“Ky është një çast emocionues për mua, që tregon për ngrohjen e marrëdhënieve mes vendeve”, tha ai. Cohen drejtoi një delegacion izraelit që përfshinte përfaqësues të më shumë se 30 kompanive dhe mbërriti në Bahrein të dielën. Para ceremonisë, ai u takua të hënën në mëngjes me princin e kurorës Salman bin Hamad Al Khalifa.

Megjithatë, Uashingtoni nuk ka qenë në gjendje të bindë fqinjin më të madh të Bahreinit, Arabinë Saudite, që të normalizojë marrëdhëniet me Jerusalemin Perëndimor. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, pranoi muajin e kaluar se një marrëveshje me Riadin ishte larg arritjes.

Arabia Saudite ka dënuar vazhdimisht përshkallëzimin e përplasjeve midis Izraelit dhe palestinezëve, dhe mbretëria thuhet se ka kërkuar garanci të sigurisë nga SHBA dhe ndihmë në zhvillimin e industrisë së saj të energjisë bërthamore në këmbim të bashkimit me Marrëveshjet e Abrahamit.