Vendosni fjalën kyçe....

Komiteti për të Drejtat e Fëmijës në Gjenevë/ AKSHI prezanton digjitalizimin e shërbimeve sociale, ndaj fëmijëve dhe familjeve shqiptare


 

Është mbajtur në datat 4-5 shtator Sesioni i 94-t i Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, në Gjenevë.

Delgacioni që përfaqëson vendin tonë, ka prezantuar përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në Shqipëri mbi zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara në fushën e të drejtave të njeriut.

Raporti i përbashkët i Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si edhe i ministrive të linjës, nxori në pah disa nga nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të siguruar përmes teknologjisë më shumë mundësi, lehtësi dhe siguri për fëmijët dhe familjet, duke pasur në fokus edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Në këtë drejtim, AKSHI do të përshtasë portalin qeveritar e-Albania në përputhje me standardet ndërkombëtare të qasjes në internet, për të siguruar akses të barabartë në shërbimet elektronike sociale për këtë kategori fëmijësh.

Në lidhje me ofrimin e të dhënave dhe shërbimeve sociale, AKSHI ka realizuar një transformim të rëndësishëm, duke implementuar Regjistrin Elektronik Kombëtar për Shërbimet Sociale. Ky digjitalizim ka ndihmuar në lehtësimin e proceseve administrative dhe e ka bërë më efikas marrjen e vendimeve.

E pranishme në këtë sesion, përfaqësuesja e AKSHI-t, Sonja Sinorukaj, Drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve e-Gov me Institucionet, theksoi rëndësinë e këtij digjitalizimi për ndihmën dhe mbështetjen e mëtejshme të fëmijëve dhe familjeve.

Në prezantimin e saj ajo renditi përfitimet e shumta të proceseve të digjitalizimit të shërbimeve sociale në Shqipëri, si:

Lehtësimi administrativ: Përdorimi i një platforme të integruar ka reduktuar barrën e dokumentacionit dhe ka lejuar punonjësit të fokusohen më shumë në ofrimin e kujdesit të nevojshëm për fëmijët dhe familjet.

Transparenca dhe përgjegjësia: Çdo detaj i ofrimit të shërbimeve regjistrohet sistematikisht, duke siguruar transparencë dhe përgjegjësi, çka ndihmon në parandalimin e rasteve të abuzimit.

Ndërveprimi dhe efikasiteti: Lidhja me regjistrat kombëtarë ka lehtësuar ndarjen dhe referencimin e të dhënave, duke përmirësuar ndarjen e burimeve dhe vendimet e bazuara në të dhënat reale.

Vlerësimi dhe ndjekja e progresit: Aftësia e sistemit për të prodhuar vlerësime dhe ndjekur progresin e planeve të trajtimit dhe kujdesit, ka ndihmuar në vlerësimin e efikasitetit të ndërhyrjes dhe sigurimin e ofrimit të kujdesit të duhur.

Inovacioni në mënyrën e ofrimit të shërbimeve sociale ka ndikuar pozitivisht në kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri. Digjitalizimi i proceseve dhe qasja e bazuar në të dhëna kanë përmirësuar jetën e qytetarëve dhe kanë shpërblyer përpjekjet e të gjithë atyre që janë angazhuar për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në vendin tonë.

Ky sesion i Komitetit për të Drejtat e Fëmijës ka vënë edhe një herë më shumë theksin tek angazhimi i pandal i qeverisë shqiptare për t’u shërbyer më mirë interesave e të drejtave të fëmijëve dhe familjeve.