Vendosni fjalën kyçe....

Lista Serbe: Institucionet serbe nuk do të largohen nga zyrat në Mitrovicë të Veriut


Lista Serbe njoftoi se katër institucionet serbe nuk do të largohen nga objekti në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, që sipas autoriteteve lokale i përket kësaj komune.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dhënë afat që deri më 8 shtator Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria të largohen nga objekti. Këto institucione prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.

“Duke pasur parasysh synimin e Prishtinës që me çdo kusht të vazhdojë me përshkallëzimin e situatës në terren dhe të pushtojë objektin në Mitrovicës, duam t’iu njoftojmë publikisht se refuzojmë ultimatumin e regjimit në Prishtinë për lëshimin e zyrave tona dhe kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, u tha në njoftimin e Listë Serbe.

Kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha po ashtu se institucionet që gjenden në objektin komunal ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim të etnisë.

Përndjekja dhe pushtimi me forcë i kësaj ndërtese do të kërcënonte ushtrimin e të drejtave të njeriut për dhjetëra mijëra persona, si në fushën e sigurimeve pensionale dhe invalidore ashtu edhe atë të mbrojtjes sociale të shtresave më të rrezikuara të shoqërisë”, tha kjo parti.

Ajo i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar “që të parandalojë” autoritetet e Kosovës, që siç tha, “të përshkallëzojnë situatën duke shkaktuar tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”.

Aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por u shty për dy javë.

Paraprakisht, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

Autoritetet në Mitrovicë të Veriut kanë thënë se objekti është pronë e tyre dhe se ai duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Por, në një deklarim të mëhershëm për Radion Evropa e Lirë, ato nuk specifikuan se për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

Më 23 gusht, Ambasada amerikane në Prishtinë kishte kërkuar nga autoritet e Kosovës që “të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i rrisë tensionet”.

Mitrovica e Veriut gjendet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Tensionet në veri janë rritur që nga fundi i majit, pasi serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë.

Udhëheqësit e rinj komunalë u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

Pas rritje së tensioneve, Qeveria e Kosovës u pajtua në korrik që të ndërmerrte hapa drejt shtensionimit të plotë të situatës. Një ndër hapat për të cilat u pajtuan Prishtina dhe Brukseli parasheh edhe krijimin e bazës ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

Në këtë kuadër, më 5 shtator u publikua udhëzimi i ri administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni./REL